Misteri i zhdukjes së MH370, ekspertët thonë se u përplas në det me dashje

01.08.2016 12:25:16

Një prej hetuesve më të njohur në botë të aksidenteve ajrore beson se fluturimi MH370 u përplas me dashje në det. Larry Vance deklaroi për progamin australian “60 minuta” se gërryerja përgjatë një pjese të gjetur të një krahu të avionit flet për një ulje të kontrolluar.

Boingu 777 u zhduk ndërsa fluturonte nga Kuala Lumpuri drejt Pekinit me 239 njerëz në bordin e tij, në mars të vitit 2014. Ekipi zyrtar i hetimit, së fundmi, pranoi se është fokusuar në mundësinë që avioni të jetë pilotuar në momentet e fundit. Ndërsa nuk është gjetur ende asnjë gjurmë e avionit edhe pas dy vitesh kërkime, zyrtarët kanë nisur të besojnë se ai mund të ketë përfunduar jashtë zonës së kërkimit nëse dikush ishte në komandat e avionit deri në fund.

Pikërisht këtë sugjeron edhe Larry Vance, kryehetues në më shumë se 200 aksidente ajrore, i cili mendon se fakti që nuk është gjetur trupi i avionit tregon pikërisht se dikush po e drejtonte dhe e uli apo e përplasi me dashje në ujë. Vance mendon se pjesa e gjetur e krahut që quhet flaperon mund të jetë gërryer në këtë formë vetëm nga fërkimi me ujin, pasi është shumë rezistente dhe nuk ka mundësi tjetër.

Për më tepër, ai thotë se kjo pjesë e avionit mund të vihet në lëvizje vetëm nga kabina dhe se kjo tregon që dikush ishte duke drejtuar avionin. Teoria e Lance është e fundit që i shtohet rasdhës së gjatë të teorive që përpiqen të shpjegojnë zhdukjen e MH370-s, që është shndërruar në një nga misteret më të mëdha të aereonautikës.