Tri vrasjet e viktimave të dhunës politike

01.08.2016 13:23:40

Nga Rexhep Kastrati

une1. Vrasja e personaliteteve politike, ushtarake etj., ndodhi për të futur përçarje dhe luftë vëllavrasëse ndërmjet shqiptarëve. Presidenti Rugova, duke e ditur mirë këtë, shmangu çdo mundësi që spiralja e vrasjeve të mos shndërrohet në luftë vëllavrasëse. Presidenti Rugova ka qenë i përkushtuar që liria, pavarësia e demokracia të realizoheshin pavarësisht se personalitetet politike dhe ushtarake që vriteshin, ishin bashkëpunëtorë dhe udhëheqës ushtarakë që i përkitnin unstitucioneve të Kosovës. Shumicës së tyre ua kishte mbyllur sytë, edhe vetë presidenti Rugova. Dhe ai kishte flakë në shpirtin e tij, kur varroste bashkëpunëtorët,por duhej të ulej bashkë me të gjithë të tjerët. Dhe jo vetëm kaq: në Rambuje hapi krahun dhe pranoi që Hashim Thaçi të drejtonte delegacionin e Kosovës; të jepte kryeministrin për të mbajtur presidentin, edhe pse i fitonte zgjedhjet. Dhe i bënte këto, sepse duhej të ruhej procesi edhe ashtu i dēmtuar i lirisë, i pavarësisë e i demokracisë. Alternativa ishte: destabilizim deri në luftë vëllavrasëse;

2. Vrasja e dytë ishte vrasja morale, vrasja propagandistike: të gjithë këta ofendoheshin, fyheshin edhe mbi baza të ndjesive kombëtare. Kur u vra Xhema, Adem Demaçi thoshte se e kanë vrarë djemtë e luftës që Ibrahim Rugova të mos pranonte më pak se pavarësia. Dhe këtë e thoshte njeriu që kish hequr dorë nga pavarësia dhe kishte paraqitur një projekt të hershëm sllavo-ortodoks: të një federate ballkanike, e të cilin e quante “Ballkania”, e për më tepër ia thoshte presidentit Rugova, i cili kishte trinomin: liri, pavarësi e demokraci thelb të filizofisë dhe të angazhimit të tij politiko-institucional. Dhe kjo që Demaçi kish thënë për vrasjen e Xhemës, në fakt sintetizonte gjithë fushatën primitive propagandistike kundër presidentit Rugova, LDK-së dhe gjithë të vrarëve të tjerë. Megjithatë, presidenti Rugova vazhdonte të bënte gjithçka që procesi të mos pengohej më tepër, dhe të mos destabilizohej Kosova. Presidenti Rugova e dinte mirë kush është Hashimi, Ramushi dhe gjithë të tjerët si këta, por nuk mund të tregonte mllefin, nuk mund të mos bashkëpunonte me ta, sepse ata ishin realitet politik dhe kishin njerëz që i votonin dhr u jepnin fuqi politike. Pra, presidenti Rugova bashkëpunonte me ta jo se nuk e dinte kush ishin, por ngaqë kishin fuqi politike që dilte nga vota e qytetarëve, që nuk mund të injorohej. Marrëveshjet politike, presidenti Rugova i realizonte mbi dy parime kryesore: parimi i rezultatit të zgjedhjeve, dhe; shtyrja e procesit të lirisë, pavarësisë e demokracisë, që nënkuptonte shpërndarjen e pushtetit dhe të përgjegjësive. Dhe presidenti Rugova u përmbahej marrëveshjeve;
3. Vrasja e tretë e viktimave të dhunës politike është bërë nga vegla kondomë brenda e rreth LDK-së që e kishin shitur shpirtin te agjentura kundërshqiptare, te partitë tjera dhe te grupe të ndryshme formale dhe joformale. Dhe kjo kishte ndodhur edhe për të gjallë të presidentit Rugova. Këta njerëz, sabotonin presidentin Rugova, dekonspironin atë dhe dokumente e strategji të ndryshme. Në shtypin e kohës botoheshin stenograme të ndryshme nga takime të ngushta të presidentit; dilnin informacione sekrete, si dhe ndihmonin në vrasjet politike, qoftë me informacion, qoftë me mënyra të ndryshme. Pas kalimit në amshim të presidentit Rugova, ndodhi hapur keqpërdorimi i vrasjeve politike për luftë të brendshme politike, përkatësisht për pushtimin dhe rrënimin e LDK-së. Keqpërdorimi i vrasjeve politike, në mënyrën më të hapur u bë në Kuvendin e VI-të të LDK-së, më 2006, pak muaj pas kalimit në amshim të presidentit Rugova. Një skuadër manipulatorësh dhe kriminelësh, u munduan të pushtonin LDK-së, duke ia njohur vetes të drejtën e pronësisë mbi emrin, filozofinë politike dhe trashëgiminë politiko-institucionale të presidentit Rugova, dhe së këndejmi edhe të drejtën për ta pasuar atë në krye të LDK-së. Kushdo që nuk pranonte këtë, akuzohej si kundër-rugovist dhe ndaj tij ushtrihej një fushatë primitive. Edhe shkopinjtë e bejsbollit dhe karriget përdoreshin kundër të tjerëve. Në fakt, ishin pikërisht këta që në një moment kritik për LDK-së, që ende nuk e kish marr veten pas kalimit në amshim të presidentit Rugova, që kishin krijuar nje kryesi paralele me emrin “Reforma”, në krye me Naser Rugovën dhe ku ishin Nexhat Daci, gecët e Llaushës, Adem Salihaj etj., e që pas Kuvendit të VI-të të LDK-së e përçanë atë dhe dolën më vete. Kjo ishte ndihma e tyre për ta sjellë PDK-në në pushtet dhe Hashim Thaçin kryeministër. Misioni i tyre kish qenë pikërisht ky: të përçante LDK-në dhe ta sillnin në pushtet PDK-në dhe Hashim Thaçin kryeministër, sepse pas kësaj do të shndërrihen në fosile politike. Dhe gjithë këtë e bënë në emër të presidentit Rugova, të filozofisë së tij politike dhe në emër të të vrarëve politikë. Keqpërdorimi i emrit të presidentit Rugova, i filozofisë së tij politike dhe i të vrarëve politikë u bë mënyra e vazhdushme e angazhimeve për ta goditur LDK-në dhe për ta mbajtur në pushtet PDK-në dhe Hashim Thaçin kryeministër. Shumica e tyre, ose ishin të përfshirë në vrasje politike, ose ishin kaparisur me tendere, ose ishin shantazhuar në forma të ndryshme pikërisht nga SHIK dhe grupe të ngjadhme, dhe nga agjentura të ndryshme të interesuara për rrënimin e LDK-së. Të tillët, patën një kontribut të madh edhe në fitoren e Shpend Ahmetit në Prishtinë, edhe pse në rundin e parë ka qenë mijëra vota mbrapa Isa Mustafës. Qëllimi ishte që të ndihmohej Shpendi që të fitonte në Prishtinë për inat të Isa Mustafës, pasi që kinsideronin se po qe se fitonte Shpendi, do të ishte më lehtë t’i imponohej dorëheqja Isa Mustafës nga posti i kryetarit të LDK-së. Pra, ndihma dhënë Shpendit për të fituar si mënyrë për ta larguar nga kreu i LDK-së, është një mënyrë, e cila tash po përsëritet edhe në rastin e zgjedhjes së presidentit. Edhe tash po keqpërdoren vrasjet politike për ta rrëzuar qeverinë që drejton LDK dhe nga kryeministri Mustafa, për ta rrënuar LDK-në. Nëse më 2013 u përdor fitorja e Shpendit për të kërkuar kokën e Isa Mustafës, tash po synohet të keqpërdoret zgjedhja e presidentit për ta rrëzuar qeverinë, rrëzimin e qeverisë si arsye për ta kërkuar kokën e Isa Mustafës. Dhe janë të njëjtat struktura, me disa prurje të reja që e përçanë LDK-në më 2006 dhe që e sollën në pushtet PDK-në dhe Hashim Thaçin kryeministër. Edhe angazhimet aktuale kundër zgjedhjes së presidentit, kanë po atë qëllim: të rikthejnë PDK-në në krye të qeverisjes së vendit dhe Hashim Thaçin kryeministër. Këtë e ka thënë qartë Arben Gashi kur ka deklaruar se Thaçi nuk bën për president, por bën për kryeministër. Dhe kjo fushatë angazhimesh që hapur ka filluar më 2006, ka vazhduar dhe po vazhdon mbi gjakun e viktimave të vrasjeve politike, duke realizuar kështu vrasjen e tretë të tyre.