Modeli siapas të cilit do të mbulohen targat e Kosovës gjatë kalimit në Serbi

08.09.2016 21:21:10

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, ka njoftuar se më në fund është arritur marrëveshje në mes Kosovës dhe Beogradit për reciprocitet të plotë për targat e veturave.

Marrëveshja përfshin heqjen nga përdorimi të tabelave “prova” të cilat njëanshëm zbatoheshin nga pala Serbe që nga viti 2011, ndërsa modeli që do të aplikohet bazohet në modelin e aplikuar në mes të Greqisë dhe Maqedonisë.

Për shkak të mosmarrëveshjeve me emrin e shtetit të Maqedonisë, ishte arritur një marrëveshje e përkohshme në vitin 1995 në mes dy shteteve, nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara, ku Greqia ka të drejtë që veturat me targa “MK” t’i mbulojë me anë të një mbështjellësi ku shkruan: “E njohur nga Greqia si FYROM (Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë)”, në anglisht dhe greqisht.

Sipas Tahirit, diçka e ngjashme do të përdoret edhe në rastin Kosovë-Serbi: autoritetet serbe do të përdorin ndonjë mbështjellës që mbulon shkronjat RKS dhe që tregon qëndrimin e Serbisë karshi statusit të Kosovës.