Mosrespektimi i barazisë gjinore nga PD, Rama: Kthim tek oda e Berishës

30.05.2017 18:23:13

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka kritikuar nga Burreli listën e Partisë Demokratike për mungesën e përfshirjes së grave për kandidate për deputete. Sipas shefit të qeverisë ky është një hap mbrapa, njësoj sikur të kthehemi në odën e Sali Berishës. Për pasojë, Rama i ka bërë thirrje vajzave dhe grave që të votojnë Partinë Socialiste, e cila punon dhe mendon për ato.

“Nuk më intereson ajo që ndodh në Partinë Demokratike, por një gjë nuk mund të rri pa e thënë. Partia Demokratike që kërkon votën në emër të një Republike të Re, ka paguar gjobë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve,  për mungesë grash dhe vajzash në listat e shumë qarqeve. Sipas PD nuk paska gra dhe vajza të denja për të për paqësuar Kukësin, Lezhën, Burrelin, Beratin e të tjerë. Vetëm burra. E çfarë burrash? Ky është muhabet tjetër.

Prandaj iu them të gjithë grave dhe vajzave në vend, që të mos e votojnë Partinë Demokratike. Mos e votoni dhe mos pranoni që gratë dhe vajzat të trajtohen si qenie të kategorisë së dytë, në pjesën e poshtme të listave, aty ku dhe fillon historia tjetër.  Kësaj i bie që të kthehemi tek oda e vjetër e Sali Berishës. Me 25 qershor votoni partinë që voton për gratë dhe vajzat”, tha Rama.