MSH dhe MPJ tentojnë t’i ikin përgjegjësisë për vdekjen e Agonit, mohojnë faktet dhe kontestojnë ambasadat

06.05.2020 19:33:18

Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme kanë tentuar t’i ikin përgjegjësisë për vdekjen e Agon Musliut, i cili të dielën u hodh nga kati i katërt i Qendrës e Studentëve në Prishtinë, ku po mbahej në karantinë.

Pas publikimit të fakteve, që përfshijnë dokumente dhe komunikime zyrtare, të cilat tregonin qartë për problemet e tij shëndetësore dhe neglizhencën e institucioneve shtetërore në rastin tragjik të 26-vjeçarit nga Gjilani, Ministria e udhëhequr nga Arben Vitia dhe Ministria e udhëhequr nga Glauk Konjufca, në një komunikatë të përbashkët, kanë mohuar dëshmitë dhe kanë kontestuar punën e Ambasadave të Kosovës në çështjen e riatdhesimeve.

Në këtë komunikatë, të lëshuar gjatë ditës së djeshme, ata kanë thënë se listat e qytetarëve për riatdhesim, të përpiluara nga misionet diplomatike, nuk janë valide për ta përcaktuar qëndrimin ose jo të dikujt në karantinë.

Megjithatë, lista prej 160 qytetarësh e dërguar nga Ambasada e Kosovës në Berlin, më 1 maj, në të cilën, sipas kritereve të IKSHK-së, tregohej se 150 veta duhej liruar nga karantinimi (personat mbi 70 vjeç dhe ata që kishin probleme shëndetësore), ndërsa 10 të tjerë duhej vendosur në karantinë, ishte respektuar pothuajse tërësisht nga Ministria e Shëndetësisë. Në këtë rast, ishin bërë vetëm dy përjashtime: Agon Musliu, që ishte në mesin e 150 personave për t’u liruar për në shtëpi, ishte dërguar në karantinë. Ndërsa, 2 persona, në mesin e 10 vetave që duhej dërguar në karantinë, ishin liruar për në shtëpi.

“MPJD ka kërkuar raporte të detajuara zyrtare nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Gjermani dhe nga Qendra Operative e MPJD-së, e cila është përgjegjëse për koordinimin e kthimit të qytetarëve në Republikën e Kosovës. Pas shqyrtimit të raporteve, kemi kuptuar që për rastin në fjalë Qendra Operative e MPJD-së dhe zyrtarët e saj, përveç shënimit në listë si “prob. shën. – posedon vërtetim”, siç janë shënuar edhe rastet e tjera, nuk kanë pasur asnjë dokument shëndetësor. Duhet ta sqarojmë, që listat e tilla dërgohen rregullisht nga misionet diplomatike dhe ato nuk janë valide për ta përcaktuar qëndrimin apo mosqëndrimin e dikujt në karantinë, sepse ato përgatiten nga shefat e misioneve diplomatike, e jo nga organet shëndetësore”, thuhet në komunikatën e MSH-së dhe MPJ-së.

Vitia dhe Konjufca, duke kontestuar listat e Ambasadave të Kosovës dhe duke shprehur mosbesim ndaj punës së tyre, në realitet kanë kontestuar punën dhe përgjegjshmërinë e tyre si Ministra, ndërkohë që prej fillimit të pandemisë Ambasadat e Kosovës janë marrë konkretisht me riatdhesimet dhe asnjëherë deri më sot nuk ishte hedhur poshtë menaxhimi i kësaj çështjeje nga ana e tyre. Madje, Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku, është krenuar vazhdimisht për administrimin e suksesshëm të riatdhesimit.

Në këtë komunikatë, po ashtu, Ministria e Shëndetësisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme, kanë insistuar se nuk kanë pasur informacione për gjendjen shëndetësore të Agon Musliut, ndonëse dokumentet e tregojnë të kundërtën.

“Qendra Operative Emergjente, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, nuk ka qenë e njoftuar dhe nuk i janë dërguar dokumente shëndetësore të cilat do të alarmonin për gjendjen e ndjeshme të të ndjerit, në asnjërën nga tri hallkat e rregullta të raportimit dhe kontrollit mjekësor, siç ka ndodhur me rastet e tjera të cilat janë liruar”, thuhet në komunikatë

Por, e vërteta është se përveçse Agon Musliu figuronte në listën e Ambasadës së Kosovës në Gjermani si udhëtar i cili ka probleme shëndetësore, dhe si i tillë, sipas kritereve të IKSHK-së, ishte i liruar nga karantinimi, një gjë e tillë i ishte bërë e ditur dhe i ishte dokumentuar edhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, një ditë para se ai të ateronte në Prishtinë

Qendra Operative Emergjente e Gjilanit kishte dërguar një e-mail në adresë të MPB-së, të premten, më 1 maj, në orën 11:43, me të cilin kërkohej që babait të Agonit, Naimi Musliut, t’i lëshohet një leje qarkullimi për udhëtimin në Aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë, më 2 maj, për ta pritur të birin e tij.

Në këtë e-mail ishte shpjeguar se i riu kishte probleme me shëndetin. Po ashtu, ishte bashkëngjitur edhe raporti mjekësor, i cili mbante vulën e radiologut dhe dëshmonte për kontrollin që 26-vjeçari e kishte bërë dhe për diagnozën e tij.

“Të nderuar, ju drejtohem me këtë kërkesë që të mundësoni lëshimin e lejes së qarkullimit për Naim Musliun, nga Komuna e Gjilanit, për udhëtim në Aeroportin e Prishtinës, për arsye sepse i njëjti deklaron që djali i tij Agon Musliu do të udhëtojë për Kosovë nga Gjermania. Agon Musliu në bazë të dokumenteve të reklamuara nga prindi i tij është i sëmurë nga mëlqia. Dokument: Raporti Mjekësor”, thuhet në e-mailin e dërguar nga QOE e Gjilanit në MPB.

Po ashtu, dy e-maile tjera tregojnë se dy herë ishte kërkuar ndihmë për Agon Musliun, rreth një orë para se ai të hidhej nga konviktet në Prishtinë, por se ajo nuk i kishte shkuar dhe ai kishte gjetur vdekjen.

Në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Brendshme, kërkesa e parë për konsulencë specialistike për katër persona të karantinuar, në mesin e të cilëve ishte dhe 26 vjeçari nga Gjilani, kishte mbërritur në orën 16:34. Ajo ishte dërguar Valdet Hashani, nga Qendra e Studentëve e shndërruar në karantinë për të riatdhesuarit gjatë pandemisë.

“Të nderuar, pas vizitave mjekësore të ekipit mjekësor në Karantinën QS, pacientët e poshtëshënuar kanë shfaqur shqetësime dhe kanë kërkuar konsulencë specialistike”, thuhet në e-mailin e dërguar nga Hashani.

Kërkesa e dytë, në të njëjtat e adresa, kishte shkuar në orën 17:03 minuta nga Qendra Operative Emergjente e Gjilanit, në të cilën tregohej se Agon Musliu ishte depresiv dhe urgjentisht kishte nevojë për kontroll nga neuropsikiatri.

“Të nderuar, Agon Musliu, ne konviktin nr. 7, kati 4, i lindur me 30.12.1994, është kthyer dje nga Gjermania. Ju kërkojmë urgjentisht, nëse keni mundësi ju si shtab i emergjencave në Prishtinë, të kontrollohet nga neuropsikiatri, sepse është depresiv. Presim konfirmimin tuaj”, thuhet në e-mailin e Qendrës Operative Emergjente e Gjilanit.

Agon Musliu, 26 vjeç, nga Gjilani, ishte kthyer nga Gjermania në Kosovë më 2 maj, ndërsa ka gjetur vdekjen një ditë më pas, duke qenë në karantinë, pasi ishte hedhur nga konviktet, nën një gjendje të rëndë depresive.

Prokuroria ka nisur hetimet lidhur me këtë rast.