Muhamet Mustafa minatorëve të “Trepçës”: PDK ka penguar emërimin e bordit të ri drejtues të kombinatit!

29.05.2017 12:16:46

Profesor Muhamet Mustafa që bashkë me kandidatin për kryeministër nga radhët e LDK-së dhe koalicionit të saj, z. Avdullah Hoti, kanë vizituar kombinatin “Trepça”, ka përcjellë elemente të bashkëbisedimit të tij me menaxhmentin dhe punëtorë të këtij kombinati.

Profesor Mustafa, nëpërmjet një postimi në facebook, ka bërë publike shqetësimet e menaxhmentit dhe punëtorëve të këtij kombinati lidhur me vonesat në emërimin e bordit të ri drejtues, por që sipas tij, del se është bërë me qëllim nga ana e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik me shpresën e PDK-së se do e merrte pushtetin dhe do e emëronte një bord sipas kutit të saj.

“Me LDK, Trepça do të jetë kompani moderne

Gjatë vizitës sime në Trepçë me kandidatin për kryeministër, dr. Avdullah Hoti, pata kënaqësinë të takoj minatorët menaxhmentin dhe punëtorët, të cilët m’i shprehën brengat e tyre lidhur me mos emërimin e bordit të ri.
Theksova se kam kërkuar informata lidhur me vonesat në emërimin e bordit të ri nga Ministria e Zhvillimt Ekonomik, por doli se kjo çështje zvarritej me qëllim sepse PDK shpresonte se do të rimerrte pushtetin dhe do të zgjedhnin një bord sipas kutit të tyre.
Unë sigurova sindikatën e minatorëve se bordi i ri mbikqyrës do të formohet menjëherë pas themelimit të qeverisë. Anëtarët e bordit të ri do të jenë kompetentë, të paanshëm politikisht, të zotët të zbatojnë ligjin dhe strategjinë, si dhe ta bëjnë Trepçën kompani moderne.” – thuhet në postimin e profesor Muhamet Mustafës.