Mustafa dënon dhunën ndaj Stavilecit: Drejtësia të mos dorëzohet para huliganizmit

28.08.2017 17:03:20

Kryeministri Isa Mustafa, ka dënuar dhunën ndaj bashkëshortes së ministrit Blerand Stavileci, duke thënë se asnjë motiv nuk e arsyeton sulmin ndaj një gruaje.

Mustafa është shprehur se drejtësia nuk duhet të dorëzohet para dhunës dhe huliganizmit.

Reagimi i Mustafës:

Sulmi fizik ndaj bashkëshortes së Ministrit Stavileci, që ndodhi sot, është akt i ulët, i papranueshëm për shoqërinë tonë.

Asnjë motiv, nuk arsyeton sulmin ndaj një gruaje, ndjelljen e frikës dhe tmerrit ndaj një nëne, fëmijëve dhe familjes së saj.

Akterët e veprimeve të tilla duhet ta gjejnë përgjigjen në organet e drejtësisë dhe në shtetin ligjor.

Drejtësia nuk guxon të dorëzohet para dhunës dhe huliganizmit sepse edhe ajo, nëse qëndron indiferente, nesër rrezikon të bëhet viktimë e po kësaj dhune.