PDK: Kriminelët e Vetëvendosjes e sulmuan bashkëshorten e Stavilecit

28.08.2017 16:53:35

Partia Demokratike e Kosovës në një konferencë të jashtëzakonshme për media, e ka dënuar sulmin ndaj bashkëshortes së ministrit në detyrë të zhvillimit ekonomik , Blerand Stavileci.

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili ka akuzuar direkt Lëvizjen Vetëvendosje për sulmin ndaj Vitore Metaj Stavileci, raporton lajmi.net

“Kriminelët e Vetëvendosjes kanë sulmuar dhe e kanë rrahur brutalisht bashkëshorten e Blerand Stavilecit. Ajo pas lëndimeve të marra po trajtohet në QKUK. Kjo është një ngjarje e rëndë nga kriminelët që duan të terrorizojnë të gjithë që nuk mendojnë si ta”, ka thënë Ismaili.

Ismaili ka pretenduar se gruas së Stavilecit nga sulmuesit i është që ky i fundit të hesht dhe të mos flet në lidhje me gjendjen në komunën e Prishtinës.

“Stavileci ka qenë njëri nga zërat më të theksuar në gjendjen në komunën e Prishtinë, kurse pas sulmit Vitores i është thënë që t’i përcjellë porosi të qarta duke i thënë që të mos flet se ai ka folur shumë dhe do ta shohim se a do të flas pas këtij veprimi”, ka shtuar nënkryetari i PDK-së.

Edhe deputetja, Blerta Deliu-Kodra ka akuzuar VV-në duke thënë se ky sulm tregon edhe njëherë ideologjinë siç ka pretenduar ajo kriminale të kësaj partie.

“Ky sulm tregon për ideologjinë kriminale të VV-së vetëm e vetëm që të arrijnë qëllimet e sëmura. Më së paku është demokratike, parti e cila flet për dialog dhe asnjëherë so për dialog, flet për shtetin dhe po vazhdon të punojnë kundër shtetit”, ka thënë Deliu-Kodra.

Ajo ka kërkuar nga organet e drejtësisë që sulmuesit të vihen para drejtësisë.

Në këtë konferencë është bërë e ditur se sot Blerand Stavileci dhe bashkëshortja e tij, e kanë pasur përvjetorin e martesës dhe kanë pasur plane ta festojnë bashkë me një drekë.