Mustafa: Kosova e përkushtuar të thelloj bashkëpunimin me Italinë

21.07.2016 10:25:16

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim ambasadorin e ri të Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, të cilin e falënderoi për përkrahjen që Italia po jep në vazhdimësi për Kosovën, duke veçuar mbështetjen në proceset eurointegruese dhe zhvillimin ekonomik.

Mustafa shprehu vullnetin e Qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Italinë, me theks të posaçëm në ekonomi dhe në krijimin e mundësive për tërheqjen e më shumë investimeve italiane në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës është e përqendruar në zhvillimin ekonomik, avancimin e proceseve eurointegruese dhe reformat e shumanshme që lidhen me zhvillimin e shtetit”, tha Mustafa, duke e njoftuar ambasadorin italian edhe për zhvillimet tjera të rëndësishme në Kosovë.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, vlerësoi progresin në Kosovë, duke theksuar përkrahjen e mëtejme të Italisë.

Ambasadori Sardi, po ashtu, theksoi përkushtimin e Italisë për bashkëpunim bilateral me Kosovën.

Gjatë takimit u bisedua edhe për organizimin e samitit të radhës të Western Balkans 6, që vitin e ardhshëm mbahet në Itali.