Mustafa: Nuk jetojmë nga historia, ne ndërtojmë histori

18.03.2017 20:02:55
Kryeministri i Kosovës dhe njëherësh kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka shkruar në facebook për përvjetorin e 27-të, të partisë që drejton në qytetin e Rahovecit dhe Podujevës.

Ai ka thënë se Lidhja Demokratike e Kosovës, është parti e cila nuk jeton nga historia por që ndërton histori, dhe zhvillohet për të përballuar sfidat e Kosovës demokratike, transmeton lajmi.net

“LDK nuk është parti e cila jeton nga historia dhe në historinë e saj. LDK është parti që ndërton pareshtur histori, parti e cila rritet, përtërihet dhe zhvillohet për të përballuar sfidat, për të zhvilluar Kosovën Demokratike”, ka shkruar Mustafa në facebook.

Lexo dy postimet e Isa Mustafës:

Rahoveci me Avdullah Hotin, Kryetar të Degës së LDK-së dhe Ministër i Financave sot shpalosi 27 vjet të LDK-së. Është për tu krenuar çdo njeri, kur dëgjon për punën dhe rezultatet, për idetë e reja, për synimet afatgjata që ofrojnë vetëm punëtorët dhe vizionarët. Dhe të tillë kishte dhe ka sot LDK-ja. LDK nuk është parti e cila jeton nga historia dhe në historinë e saj. LDK është parti që ndërton pareshtur histori, parti e cila rritet, përtërihet dhe zhvillohet për të përballuar sfidat, për të zhvilluar Kosovën Demokratike.

Podujeva shënoi sot 27 vjetorin e LDK-së. Ishte e pafund pjesëmarrja e veprimtarëve dhe simpatizantëve të LDK-së. Kishin ardhur nga katër anët e Llapit për të shënuar ditën e përkushtimit të tyre, respektin për kryetarin e tyre të Degës së LDK-së dhe të Komunës, Agim Veliun. Respektin për LDK-në dhe shtetin e Kosovës. Urime juve që gjithnjë jeni fitimtarë!