Mustafa për deklaratën e Nikoliqit: Rikthim i logjikës së vjetër të Serbisë, kërcënim ndaj Kosovës dhe Ballkanit

16.01.2017 19:26:11

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka thënë se pas zhvillimeve të fundit, kemi një esklaim të politikës së Serbisë në Kosovë.

Mustafa në një intervistë për Zërin e Amerikës ka thënë se “jemi për atë që qytetarët të lëvizin lirshëm, por kurrsesi që shteti i Kosovës të provokohet me një tren i cili pretendohet të futet në Kosovë me mbishkrime se “Kosova është Serbi”, do të thotë që janë krejtësisht synime okupuese ndaj Kosovës e cila ka shpallur pavarësinë dhe është njohur nga 113 vende të botës, e cila është në dialog me Serbinë në Bruksel për të zgjidhë problemet të cilat kanë mbetur”

Zëri i Amerikës: Zoti kryeministër, tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë shënuan një shkallë të lartë të shtunën për shkak të trenit të nisur nga Beogradi drejt Mitrovicës, ndërsa pasuan disa veprime si rasti i ish kryeministrit Haradinaj, ngritjes së murit në Mitrovicë etj. Sa kërcënuese janë për paqen e qëndrueshmërinë në Kosovë dhe rajon këto zhvillime?

Isa Mustafa: Tani unë mendoj se kemi një eskalim të politikës së Serbisë në Kosovë. Kryesisht është e orientuar në destabilizimin e relacioneve, por edhe situatës politike e cila pastaj do të ndikojë në gjendjen edhe në ekonomi edhe në fusha të tjera, jo vetëm tek shqiptarët, por të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Unë jam habitur me qëndrimin e zyrtarëve serbë edhe lidhur me deputetët e Listës serbe në Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe me anëtarët e qeverisë nga kjo listë nga të cilët është kërkuar në mënyrë shprehimore se ata duhet të mbrojnë dhe të përfaqësojnë interesat e shtetit serb këtu, ndërkaq ata janë përfaqësues të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të qytetarëve serbë, por jo vetëm serb, sepse i kanë votat në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Është një ndërhyrje shumë e rëndë dhe e dëmshme jo vetëm për parlamentin dhe qeverinë tonë, por edhe për serbët, sepse do të ishte shumë më mirë që ata të jenë në kuvend, të jenë në qeveri dhe të përfaqësojnë çdo ditë interesat e popullit serb, por edhe qytetarëve tjerë. Është pastaj problemi i cili tash lindi me zotin Haradinaj, i lëshimit të fletarresteve për ish luftëtarët e UÇK-së dhe qytetarët tjerë të Kosovës. Ne këtë problem e kemi hapur edhe në Bruksel dhe kemi kërkuar që të gjendet një zgjidhje. Nuk është gjetur ndonjë zgjidhje eksplicite në këtë aspekt, por kemi thënë se është një situatë shumë e rëndë, sepse po riaktualizohen fletarreste të tilla të cilat janë krejtësisht politike, sepse, Serbia nuk ka autoritet legjislativ mbi Kosovën. Këtë e ka humbur që në vitin 1999. Prandaj, është e pashpjegueshme edhe për ne se si institucionet ndërkombëtare dhe vende të ndryshme në suaza të INTERPOL-it, duhet të respektojnë fletarreste të tilla. Tani problemi themelor është që të zgjidhet çështja e fletarresteve. Çështja tragjike, të themi që i ka ndodhë në këtë rast zotit Haradinaj, është çështje tjetër, sepse flitet për një kryetar të një subjekti politik opozitar shumë të rëndësishëm në kuvendin e Kosovës, për një ish kryeministër të Republikës së Kosovës, për një njeri që në radhë e ka treguar pafajësinë e tij në Gjykatën Ndërkombëtare dhe nuk ka asnjë bazë. Mirëpo, problemi është që komuniteti ndërkombëtarë edhe BE-ja, por edhe vendet tjera të ndihmojnë që ato fletarreste të eliminohen përderisa edhe Kosova të mos behët anëtare e INTERPOL-it. Kemi pasur pastaj edhe veprime tjera siç ka qenë veprimi me ndërtimin e murit në Mitrovicë. Do të thotë është bërë vetëm një zhvendosje e barrikadës nga ura e Ibrit, andej urës tek rruga “Mbreti Peter”, e cila rrugë në bazë të marrëveshjes së Brukselit është pranuar të shndërrohet në shëtitore, por në asnjë rast nuk është biseduar as nuk ka pasur vendim, por as paralajmërim që të bëhet mur atje, sepse është e pakuptueshme që ata që pretendojnë të bëhen anëtar të BE-së, të një bashkimi, në mënyrë simbolike të themi, pa mure apo pa kufi, tani të ndërtojnë mure dhe kufi, në mënyrë që të ndajnë serbët nga shqiptarët dhe serbët t’i mbrojnë me mure, që është totalisht e papranueshme edhe si logjikë demokratike edhe si logjikë shtetërore e civilizuese. Muri është ndërtuar në mënyrë jo ligjore, pa asnjë bazë urbanistike ose ligjore dhe ai duhet të hiqet nga aty. Ndërkaq ishte edhe problemi i një treni provokues, sepse qytetarët duhet ta dinë se lëvizje të trenit ka pasur që nga viti 2008 në atë pjesë, edhe pse nuk është legjitimuar në asnjë rast me licencë të veçantë nga Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave. Ne jemi për atë që qytetarët të lëvizin lirshëm, por kurrsesi që shteti i Kosovës të provokohet me një tren i cili pretendohet të futet në Kosovë me mbishkrime se “Kosova është Serbi”, do të thotë që janë krejtësisht synime okupuese ndaj Kosovës e cila ka shpallur pavarësinë dhe është njohur nga 113 vende të botës, e cila është në dialog me Serbinë në Bruksel për të zgjidhë problemet të cilat kanë mbetur. Dhe kjo flet për një sjellje ose për një rikthim të Serbisë në logjikën e (Slobodan) Millosheviçit dhe në logjikën e së kaluarës.

Zëri i Amerikës: Si i vlerësoni paralajmërimet e presidentit serb se Beogradi do të mund të dërgonte ushtrinë në Kosovë nëse ndodhë të vriten serbët?

Isa Mustafa: Në asnjë rast, e kam thënë edhe publikisht, nuk konsideroj se serbët në Kosovë janë të rrezikuar. Sepse, ne u kemi siguruar serbëve të Kosovës pjesëmarrjen në parlament edhe mbi fuqinë e proporcionalitetit të tyre, sepse është një diskrimimin pozitiv, për arsye se kanë pjesëmarrje shumë më të madhe sesa që është përqindja e banorëve serbë në Republikën e Kosovës. I kemi në parlament, i kemi në qeveri, në të gjithë institucionet e Republikës së Kosovës, i kemi siguruar të gjitha të drejtat. Është lëvizja e lirë dhe asnjë serb nuk ankohet se nuk mund të lëvizë lirshëm në tërë territorin e Kosovës. Kemi toleruar që edhe arsimi, derisa mos ta zgjidhim problemin, të funksionojë në pjesën e veriut të vendit, funksionin universiteti në pjesën veriore të Mitrovicës, e kemi zgjidhur problemin e policisë, jemi duke zgjidhur problemin e organeve të drejtësisë. Prandaj unë e shoh vetëm si një deklaratë edhe të papërgjegjshme politike, por edhe një rikthim të logjikës së vjetër të Serbisë për këtë pjesë, që është jo vetëm kërcënim ndaj Kosovës, por është edhe kërcënim në Ballkan. Dhe ne këtij kërcënimi nuk dëshirojmë t’i përgjigjemi me fjalë të njëjta. Ne jemi të interesuar që të jetojmë në bashkëjetesë, të kemi me fqinjët tanë fqinjësi të mirë edhe me serbët edhe me vendet tjera. Të sigurojmë të drejta të plota të të gjithë qytetarëve tanë, të drejta të barabarta edhe të komunitetit shumicë edhe pakicë dhe bashkërisht të punojmë në integrimet tona evropiane dhe euro-atlantike. Gjërat e tilla i shohim më tepër si dobësi qoftë personale, qoftë dobësi të një regjimi ose të një pushteti në Serbi, por assesi si perspektivë që duhet të ndodhë në Ballkan.

Zëri i Amerikës: A keni shqetësim se mund të ketë ndonjë përpjekje për shkëputje të veriut të Kosovës, sikundër është thënë nga shumë analistë dhe vëzhgues gjatë këtyre ditëve?

Isa Mustafa: Po unë mendoj se shqetësimet në pikëpamje të stabilitetit gjithmonë ekzistojnë. për arsye se derisa ka kërcënime të tilla dhe ka veprime të tilla, atëherë nuk mund të themi se nuk ka shqetësime të tilla. Ne kemi pasur shqetësime edhe lidhur me trenin dhe në një periudhë të gjatë kohore e kemi konsideruar këtë çështje edhe me MPB-në edhe me agjencitë tjera, me ministritë tjera përkatëse që e mbulojnë këtë fushëveprimtari dhe kemi kërkuar të merren masa ligjore e kushtetuese. Dhe mendoj se e kemi arritur me një koordinim shumë të mirë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës, por gjithmonë duke ju referuar ligjit, institucionet që duhet të zbatojnë ligjin edhe në këtë fushë.

Zëri i Amerikës: A jeni vonuar? Ka pasur shumë kritika se jeni vonuar në zgjidhjen e kësaj çështjeje, në përballjen me këtë situatë?

Isa Mustafa: Po mund t’ju them se nuk konsideroj që ka pasur asnjë vonim. Sepse, ne kemi filluar me kohë. Kemi biseduar edhe me faktorët ndërkombëtarë këtu edhe me përfaqësuesit e BE-së dhe ju kemi shprehur në fillim të javës së shkuar qëndrimet e qarta. Unë në zyrën time u kam shprehur se nuk do të lejojmë të hyjë asnjë tren në Kosovë dhe të hyjë dikush tjetër me tren në Kosovë jashtë rregullave dhe ligjeve të Republikës së Kosovës. I kemi njoftuar edhe përfaqësuesit e vendeve që janë partnerë strategjik të Kosovës, me ambasadorët e “quintit”, kemi pasur edhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare, kemi biseduar me përfaqësuesit e policisë, të Agjencisë së Inteligjencës, me kryetarin e kuvendit në disa raste kemi pasur takime. I kemi koordinuar të gjitha veprimet. Pra këto janë veprime që koordinohen, sepse veprimet e ligjit, ose mënyra se si zbatohet ligji, nuk është çështje që duhet t’ua komunikojmë qytetarëve dhe publikut sepse policia dhe organet tjera ekzistojnë që ta respektojnë ligjin dhe ministritë tjera ekzistojnë që në moment të caktuar të merret vendim për aplikimin e ligjit dhe mbrojtjen e sovranitetit të vendit. Unë mendoj se është vepruar me kohë. Nuk ka pasur vonesa. Çështja e deklaratave pastaj është çështje tjetër.

Intervistën e plotë mund ta lexoni KËTU.