Në Ditën Botërore të Shëndetit, OBSh u bën thirrje shteteve të vendosin barazinë në qendër të rimëkëmbjes nga COVID-19

07.04.2021 11:45:27

Organizata Botërore e Shëndetësisë në Ditën Botërore të Shëndetit u ka bërë thirrjeve qeverive të vendosin barazinë në qendër të rimëkëmbjes nga COVID-19.

Në reagimin e OBSH-së thuhet se COVID-19 na ka prekur të gjithëve, por disa kanë dalë më keq se të tjerët, thjeshtë për shkak të punës që bëjnë dhe pasigurisë së kushteve të tyre të jetesës dhe mjeteve të jetesës.

“Për shembull, efektet e masave të kufizimit të COVID-19 janë ndjerë në mënyrë të pabarabartë, me njerëz nga grupe me të ardhura më të ulta që kanë rrezik më të lartë të humbin punën e tyre. Vlerësimet sugjerojnë që vetëm në muajin e parë të pandemisë, punëtorët jo-formal, duke përfshirë ata që punojnë në depo dhe call-center, punëtorë shtëpiak, punëtorë sezonal dhe punëtorë me pagë të ultë në sektorët shëndetësorë dhe të kujdesit për të moshuarit në Evropë dhe Azinë Qendrore kanë humbur 70% të të ardhurave të tyre”.

Këtë Ditë Botërore të Shëndetit, e shënuar çdo vit më 7 prill, OBSh u bën thirrje udhëheqësve të vendosin gjithë-përfshirjen dhe barazinë në qendër të gjitha përgjigjeve të rimëkëmbjes për të krijuar një botë më të drejtë dhe më të shëndetshme.

“Pse disa njerëz i kanë ndjerë efektet e COVID-19 më tepër?” pyet Dr Hans Kluge, Drejtori Rajonal i OBSh-së për Evropën. “Shumë thjeshtë, sistemi funksionon kundër tyre për sa i përket vendeve të punës, strehimit, komunitetit, mbështetjes sociale dhe kujdesit shëndetësor. Ёshtë koha që të gjithë të kenë qasje të barabartë, në mënyrë që gjatë rindërtimin nga pandemia, të vendosim qëllime shumë më të mëdha sesa mbijetesën duke synuar përparim të gjithmbarshëm”.

Çfarë mund të bëjnë qeveritë për një botë më të drejtë dhe më të shëndetshme?

Veprimi është i nevojshëm urgjentisht në sektorin e shëndetësisë dhe në të gjithë qeverinë për të hequr pengesat për një jetë më të drejtë dhe më të shëndetshme për të gjithë.

80% e evropianëve besojnë se ulja e pabarazive duhet të jetë në krye të agjendës së qeverive të tyre.

Kur qeveritë zbatojnë politikat e duhura, boshllëqet në shëndetësi mund të zhduken brenda 4 viteve.

Një mjet i politikës shëndetësore të OBSh-së ka treguar se politikat në fushat e mëposhtme kanë potencialin më të lartë për të mbyllur boshllëqet shëndetësore dhe për të ndikuar pozitivisht në shëndetin dhe mirëqenien, veçanërisht nëse zbatohen së bashku:

  1. ulja e barrës së pagesave nga xhepi për shëndetin, duke e bërë kujdesin shëndetësor të arritshëm dhe të përballueshëm për të gjithë;
  2. forcimin e mbrojtjes sociale për të zvogëluar pabarazinë në të ardhura dhe për të garantuar një shkallë themelore të sigurisë së të ardhurave;
  3. rritja e investimeve në strehim cilësor dhe të përballueshëm dhe lagje të sigurta;
  4. duke ndihmuar në mënyrë pro aktive që njerëzit të kenë një punë të denjë dhe të shëndetshme duke ndihmuar në uljen e papunësisë;
  5. forcimi i arsimit dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës, pasi përmirësimi i shkrim-leximit dhe matematikës bazë, rrit aftësinë e njerëzve për të marrë kontrollin mbi jetën e tyre; dhe
  6. rritjen e pjesëmarrjes qytetare, zvogëlimin e krimit dhe krijimin e lidhjeve shoqërore.

“Bota jonë ishte tashmë e pabarabartë kur COVID-19 goditi dhe pandemia ka vënë në shprehje këto pabarazi”, tha Dr. Sergy Koryak, Shef i Zyrës së OBSh-së në Prishtinë.

“Pabarazitë në shëndet janë të padrejta, por janë të parandalueshme. Qeveritë dhe komunitetet tani duhet të punojnë së bashku për të siguruar kushte jetese dhe pune që të gjithë të jetojnë një jetë të shëndetshme dhe të lulëzojnë”.