Në kushtet që Kosova duhet t`i plotësojë për liberalizimin e vizave, nuk përmendet korrupsioni

05.09.2016 20:34:54

Komisioni i Parlamentit Europian LIBE sot ka votuar kundër fillimit të negociatave për liberalizimin e vizave të Kosovës, por ka mbështetur raportin e raportueses së PE-së në Kosovë, Tanja Fajon, i cili edhe do të dërgohet për votim.

Fajon është shprehur e lumtur për mbështetjen e Komisionit për raportin e saj, por ka theksuar se janë dy kushte që Kosova duhet t`i plotësojë në mënyrë që qytetarët të udhëtojnë të lirë pa viza.

“I bëjmë thirrje Qeverisë që ta ratifikojnë marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi dhe të lejojnë themelimin e Acociacionit të Komunave Serbe. Atëherë mund ta përfundojmë procesin e vizave për Kosovën”, është shprehur Fajon, transmeton Indeksonline.

Ajo ka thënë se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian. Por, sipas Fajon nuk mund të anashkalohen rregullat dhe çështjet e fundit duhet të përfundohen pa nisur negociatat.

“Jam shumë e lumtur që Komiteti LIBE ka mbështetur raportin tim që çon drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës njeherë e përgjithmonë. Topi tani është në anën e Kosovës. Ende janë dy kushte që duhet adresuar nga Parlamenti në Prishtinë para se të nisim negociatat për liberalizim të vizave. Ne besojmë fuqishëm se e ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Europian dhe liberalizimi i vizave është një hap para në këtë drejtim. Sidoqoftë, nuk mund t`i anashkalojmë rregullat  – çështjet e fundit duhet të përfundohen para se të fillojnë negociatat”, ka thënë Fajon.

Ndryshe, ministri i Integrimeve Europiane, Bekim Çollaku ka thënë se votimi i sotëm mund të shihet si rikonfirmim i radhës për lëvizje të lirë të qytetarëve të Kosovës.

 

 

“Votimin e sotëm duhet ta kuptojmë edhe një rikonfirmim të radhës për mbështetjen që lëvizja e lirë pa viza e qytetarëve të Kosovës e gëzon tek eurodeputetët e përfaqësuar në këtë komision të Parlamentit Evropian, dhe është një hap përpara drejt vendimit përfundimtar. Uroj që ky hap dhe i gjithë procesi të përfundohet sa më shpejtë”, ka shkruar ai.

Kurse, Ulrike Lunaçek ka thënë se “ky është një lajm i mirë për heqjen e vizave”.