Në Shqipëri, fushatë parazgjedhore; Kërcënohen me pistoletë motër e vëlla: Mos shpërndani para për fushatë

19.06.2017 11:02:37

Policia e Lezhës ka zbardhur sot një incident që ka ndodhur ditën e djeshme në Dajç të Lezhës, ku një grua 33-vjeçare dhe vëllai i saj janë kërcënuar me pistoletë që të mos shpërndajnë para për fushatën elektorale.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:50, kur u mor njoftimi se në fshatin Gjadër, Njësia Administrative Dajç, 33 vjeçarja M.N., banuese në Gjadër është kanosur me armë zjarri nga disa persona.

Menjëherë pas njoftimit policia dhe grupi hetimor kanë shkuar në vendin e ngjarjes ku pas veprimeve të para rezultoi se shtetasja M.N., së bashku me vëllain E.N., kur po lëviznin me automjetin e tyre në Gjadër janë ndaluar nga një mjet fuoristradë tip “Benz”, nga ku kanë zbritur 3 persona.

Sipas kallëzimit të M.N., njëri prej tyre nën kërcënimin e armës së zjarrit pistoletë i ka kanosur ata dhe familjarët e tyre, me motivin që mos të shpërndanin lekë për fushatë elektorale.

Nga veprimet hetimore rezulton se autorë të dyshuar të kësaj vepre penale janë shtetasit: S.N., 19 vjeç, G.M., 21 vjeç, dhe A.M., 24 vjeç, të tre banues në Lezhë.
Veprimet në lidhje me këtë ngjarje janë kryer në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit

Gjyqësor Lezhë dhe vazhdojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarje. Strukturat e Policisë po punojnë për kapjen e personave të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje.