Në tetor u shtrenjtua rryma për 40 për qind

11.11.2016 14:53:18

Agjencia e Statistikave të Kosovës  ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit”  për muajin tetor të vitit 2016.  Sipas ASK-së në muajin tetor është rritur çmimi i energjisë elektrike për rreth 40 për qind krahasuar me çmimet e energjisë në muajin shtator. Kjo sipas ASK-së, pasi po aplikohen tarifat dimërore. Janë rritur edhe çmimet tjera të konsumit në një mesatare prej rreth 1 për qind.

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në vend është më i lartë për 0.9 për iqnd në muajin tetor 2016, krahasuar me muajin shtator 2016. Ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: perimet (2.9 për qind); rryma, gazi dhe lëndët e tjera djegëse (21.0 për qind) – (ngritje e çmimit të rrymës elektrike në një mesatare prej 39.7 për qind për shkak të aplikimit të tarifave dimërore të energjisë elektrike nga 1 tetor 2016 – 31 mars 2017); përdorimi i pajisjeve për transportin personal (1.3%), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.4 për qind në IHÇK”, ka bërë të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës në publikim më të ri të sajë, shkruan lajmi.net

SDipas statistikave, ngritja u neutralizua, kryesisht nga rënia e çmimeve te qumështi, djathi dhe vezët (-1.4 për qind); pemët (-7.9për qind); shërbimet për transport (-1.4 për qind)-(rënie e çmimit të biletave me aeroplan); pajisjet telefonike dhe të telefaksit (-2.6 për qind), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0.5 për qind) në IHÇK.

Shkalla e inflacionit e matur në muajin tetor 2016 me muajin tetor 2015 ishte 0.9 për qind.

Po ashtu, Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0.9 për qind në muajin tetor 2016, krahasuar me muajin tetor 2015 .