Në vitin 2019, Britania duhet të jetë larguar nga BE

13.09.2016 21:05:11

Kryenegociatori i Parlamentit Europian për çështjen “Brexit”, Guy Verhofstadt ka bërë të ditur se BE-ja duhet të arrijë një marrëveshje për largimin e Britanisë së Madhe përpara zgjedhjeve të ardhshme europiane në maj apo qershor të vitit 2019.

“Brexit duhet të konkretizohet përpara vitit 2019, kur politika e BE-së të futet në një cikël të ri dhe Parlamenti Europian të nisë mandatin e ri”, theksoi ai. Verhofstadt, ish-kryeministër i Belgjikës, tha për gazetarët në Strasburg se Parlamenti Europian duhet të “japë mirëkuptimin ndaj marrëveshjes, siç është e përcaktuar në artikullin 50, ndaj dhe është diçka shumë pozitive që PE-ja është e përfshirë në këtë proces që prej fillimit”.

“Dua që Britania ta aktivizojë sa më shpejt të jetë e mundur artikullin 50, në mënyrë që ne të mund të përfundojmë negociatat brenda vitit 2019. Nuk mund ta imagjinoj fillimin e ciklit tjetër legjislativ pa një marrëveshje mbi largimin e Britanisë”, shton ai.