Negociatat me Greqinë, Meta pret deputetët e Komisionit të Jashtëm

02.03.2018 09:42:27

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka pritur në Presidencë në orën 8:15, deputetët e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit për të zhvilluar dëgjesën e kërkuar prej tyre lidhur me negociatat që po zhvillohen me Greqinë për çështjen e Kufirit Detar dhe polemikat e hapura së fundmi rreth saj.

Në Presidencë kanë mbërritur njeri pas tjetrit deputetët e mazhorancës dhe opozitës, si Ervin Bushati, Evis Kushi, Vasilika Hysi, Mimi Kodheli, Rudina Hajdari, Klajda Gjosha, Nard Ndoka, Klotilda Bushka.

Fillimisht, Presidenti pranoi kërkesën, por Top Channel ka mësuar se këshilltarët e tij kanë këmbëngulur që ai të ndryshonte qëndrim, duke i dhënë Presidentit Meta dy arsye.

E para, thirrja për seancë dëgjimore në komisione ka vlerën e një llogaridhënieje para deputetëve dhe kjo, sipas këshilltarëve të Presidentit, do ta ulte Kreun e Shtetit në rangun e një ministri.

E dyta, raportimi i Presidentit në një komision të Kuvendit do të përbënte një precedent me rrezik, duke e ekspozuar Presidentin ndaj thirrjeve të tjera të mundshme në të ardhmen, edhe për çështje që mund të mos ketë dëshirë të trajtojë.

Si zgjidhje është gjetur që Presidenti të ftojë Komisionin e Jashtëm në zyrën e tij për të trajtuar shqetësimet e Kreut të Shtetit mbi negociatat me Greqinë.

Demokrati Tritan Shehu, që kërkoi publikisht thirrjen e Presidenti në Kuvend, konfirmoi ftesën e Metës duke theksuar se mirëpriste atë. Edhe deputetët socialistë konfirmuan pjesëmarrjen, duke nënvizuar se nuk kishin asnjë kompleks.