Nga fillimi i vitit 2017, Rruga e Kombit me pagese

Nga fillimi i vitit 2017, Rruga e Kombit me pagese

14.12.2016 22:29:36

Qeveria shqiptare ka vendosur përfundimisht që të japë me koncesion Rrugën e Kombit. Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme (14 dhjetor) të Këshillit të Ministrave.

“Miratimin e kontratës së koncesionit “Për ndërtimin, përmirësimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e autostradës Milot-Morinë”, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, dhe Konsorciumit “Catalyst Viva Das General Contracting LLC – Salillari, sh.p.k. – Bee Tech – Violiap Ateve – Kastrati, sh.a”. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare””, thuhet në vendimin e qeverisë.

Rruga do të bëhet me pagesë duke nisur nga fillimi i vitit të ardhshëm. Përveç taksave që do të paguajnë qytetarët (5 euro për makinë) buxheti i shtetit do të paguajë në 13 vitet e para të koncesionarit të paktën 65 milionë euro.

Për shkak se Rruga e Kombit nuk përcakton kriteret, qeveria shqiptare ka marrë përsipër të kompensojë kompaninë fituese për 13 vitet në vijim dhe gjatë kësaj periudhe, buxheti do të alokojë një shumë prej 4-5 milionë eurove në vit ndaj kompanisë fituese, njofton oranews.

Me 29 gusht, Komisioni i Prokurimit Publik vendosi të skualifikojë konsorciumin “Vendeta” dhe të parakualifikojë “Catalyst” si dhe ta përcaktojë atë si ofertuesin e preferuar. Oferta në fuqi, ajo e Catalyst, kërkon kompensim nga buxheti 64.9 milionë euro.

Sipas ekspertëve, standardi maksimal ndërkombëtar për mirëmbajtjen e 100 kilometrave kërkon një tarifë 2.5 euro. Rruga e Kombit, në të gjithë gjatësinë e saj, është 116 kilometër, ndërsa vetëm 60 kilometrat e aksit  Rrëshen-Kalimash konsiderohen të përfunduara.