Nga Gana strehohej në Shqipëri, policia arreston të riun e shpallur në kërkim

09.02.2020 17:39:26

Finalizohet një tjetër operacion për parandalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit. Operacioni i koduar “SIMILARITY”, u zhvillua nga Policia Kufitare e Rinasit në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Një person u vu në pranga, ndërsa një tjetër u shpall në kërkim, ndërsa është sekuestrohet edhe pasaporta e shtetasit të shpallur në kërkim që do përdorte shtetasi i arrestuar.

Falë koordinimit të veprimeve dhe shkëmbimit të informacionit mes Policisë Kufitare të Rinasit dhe Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë u finalizua me sukses operacioni policor i koduar “SIMILARITY”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Evans Amanwah nga Gana, ndërsa Otega Okorare ende jo.

24-vjeçari tentoi të kalonte nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Rinasit me një pasaportë me ngjashmëri, por u bllokua nga kontrollorët e Policisë Kufitare të Rinasit, bazuar edhe në informacionet që dispononin Policia Kufitare dhe Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë.

Nga hetimet e kryera rezultoi se ky shtetas pasi ka siguruar paraprakisht kundrejt shpërblimit monetar pasaportën e shtetasit nigerian Otega Okorare, duke përfituar nga ngjashmëria fizike me këtë shtetas ka tentuar të udhëtojë nga aeroporti i Rinasit në drejtim të vendeve të BE-së me pasaportën e këtij shtetasi.

Po nga hetimet e kryera dyshohet se ka edhe bashkëpunëtorë të tjerë në organizimin dhe gjetjen e personave me ngjashmëri për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, për të cilët po punohet për identifikimin dhe kapjen e tyre.