Nishani për Haradinajn: Po ndiqet me dokumente të një shteti që nuk ekziston

03.03.2017 17:50:15

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani e ka konsideruar situatë për të ardhur keq dhe krejt e pajustifikueshme mbajtjen në Francë të kreut të AAK’së, Ramush Haradinaj, në bazë të një kërkese dhe urdhër-arresti të Serbisë për ekstradim në Beograd, për tu gjykuar për krime lufte.

Nishani në një intervistë për një media ka thënë se të gjitha dokumentet e lëshuara nga administrata e Milosheviçit i takojnë një shteti që më nuk ekziston.

Gazetarja: A ju duket sikur qytetarët në rajon janë më shumë të prirur për bashkëjetesë, në këtë kontekst edhe ju u shprehët tani, se sa elitat e tyre politike, kam rastin edhe për çështjen e zotit Haradinaj. Autoritetet shtetërore serbe kanë urdhër-arrestet e tyre për zotin Haradinaj, ndërkohë që duket më shumë se populli kosovar dhe populli serb janë më të tërhequr, më të prirur për të parë nëse mund ta themi në gjuhë popullore: ‘jetën e tyre’, ndërtimin e jetesës së tyre në rrethanat e reja që janë në rajon. A duket sikur është politika ajo që i tërheq edhe për shkak të interesave të veta dhe konflikteve politike?

Presidenti Nishani: Patjetër! Ky është leksioni më i vjetër botëror në historinë e të gjithë zhvillimit të njerëzimit, në daç asaj të largët dhe në daç asaj të afërt ka treguar që interesi i njerëzve është të prosperojnë jetën e tyre, të jetojnë në paqe, në mirëkuptim edhe të zhvillohen në të gjithë dimensionet që përmban jeta e përditshme e individit dhe e familjes. Në konkurrencë me këtë tendencë dhe orientim të qytetarëve patjetër që ka gjithmonë deviacione që vijnë nga individë të cilët keqpërdorin dimensionin e politikës, apo të institucioneve që posedojnë në një moment apo mandat të caktuar. Koha ka bërë gjithnjë korrigjimin e tyre përmes angazhimit dhe qëndresës së qytetarëve, të popujve, apo të një shoqërie të caktuar në një vend të caktuar. Në këtë kontekst, unë do të thoja edhe në rajonin tonë, historia besoj duhet të jetë mësuesi më i mirë për këdo dhe duhet të jetë mësimi më i mençur që duhet të nxjerrë gjithësekushi. Situata me zotin Haradinaj është patjetër një situatë për të ardhur keq, është një situatë krejt e pajustifikuar. Zoti Ramush Haradinaj është gjykuar në mënyrë të përsëritur nga gjykatat më të larta ndërkombëtare, e pranuar nga të gjitha shtetet anëtare të kësaj gjykate, vendimet e kësaj gjykate janë të pranuara dhe duhet të pranohen nga të gjitha shtetet të cilat e njohin gjykatën përkatëse dhe nuk ka se si që akt i caktuar i një gjykate të një niveli më ulët, të kapërcejë edhe të dalë mbi vendimet e gjykatave më të larta. Ky është një rregull i përbotshëm dhe është fondamenti i tërë kolonës së jurisprudencës. Kështu që unë mendoj se nuk ka arsye të keqpërdoret hapësira e lirisë së një individi, aq më tepër e një personaliteti politik dhe kontribuesi të madh qoftë të lirisë, qoftë dhe të paqes siç është zoti Haradinaj. Të gjitha dokumentet e lëshuara nga administrata e Milosheviçit së pari i takojnë një shteti që nuk ekziston më. Ne nuk kemi më një ish-Jugosllavi. Ne kemi një realitet krejt tjetër në Ballkan dhe në Evropë, një realitet tashmë i njohur dhe pranuar nga shumica dërrmuese e shteteve të Evropës, por dhe një shumicë shumë e madhe në nivel global. Qoftë në aspektin legal, qoftë në aspektin politik, qoftë në aspektin procedurial çështja e zotit Haradinaj është një çështje, e cila nuk mundet dhe nuk ka asnjë shpjegim pse ndodhet në situatën e sotme. Gjithsesi nuk jam i bindur që do të tejkalohet çdo tentativë e pajustifikuar për të vazhduar për të mbajtur të izoluar zotin Haradinaj nga jeta e tij politike, familjare, shoqërore në Kosovë. Kosova, shteti i Kosovës, paqja në Kosovë dhe proceset e tjera paqtuese kanë nevojë edhe për kontributin e zotit Haradinaj në vijimësi dhe unë jam i bindur që së shpejti ky proces do të jetë në rrugën dhe standardet që i takon.