Një vit më parë digjej Notre Dame, a do të shpëtohet dot katedralja?

15.04.2020 11:44:48

Një vit më parë, Notre Dame do të gllabërohej nga flakët e një zjarri të papritur, që e bëri botën të mbante frymën. Ai moment fatkeq vinte në dyshim vetë të ardhmen e katedrales së famshme, të kthyer në një simbol të Parisit, të Europës, krishtërimit e në një mishërim të historisë.

Zjarri, për të cilin prokurorët francezë thonë se mund të ketë nisur nga një cigare e hedhur pa kujdes apo ndonjë qark I shkurtër elektrike, ngjalli solidaritet në mbarë botën. Prillin e vitit të kaluar, donacionet vërshuan nga të gjitha anët, kujton CNN.

Por me hijen e koronavirusit të lëshuar mbi kontinentin e vjeter e pertej tij, edhe përpjekjet e restaurimit të kishës ikonë u pezulluan. Vëmendja e Francës tani është spostuar tek sëmundja, dhe përvjetori i zymtë i katedrales duket i destinuar të kalojë pa shumë vëmendje.

Puna atje është ndërprerë që në 16 mars, dhe pavarësisht muajsh të tërë përpjekjesh për rimëkëmbjen e objektit të mrekullueshem, ende nuk është zbardhur qartë niveli I saktë I dëmeve.

Në fund të janarit, gjenerali Jean-Louis Georgelin, përfaqësuesi i posaçëm e presidentit Emmanuel Macron për rindërtimin e saj tha se ishte ende shpejt për të thënë nëse katedralja mund të shpëtohet. Mbetet ende shumë punë për të bërë sa i takon vlerësimit të plotë të gjendjes së strukturës, ndërkohë që edhe niveli i lartë i pluhurit atje përbën një rrezik kontaminimi, të cilin ai vetë e ka marrë mjaft seriozisht.