Njëri prej serbëve të arrestuar për terrorizëm në Mal të Zi, i njohur edhe në Kosovë (Video)

16.10.2016 22:20:17

Emri i Bratisllav Dikiqit i arrestuar sot në Podgoricë, si i dyshuar për sulme terroriste, nuk është i panjohur në Kosovë.

Ish-shefi i Xhandarmërisë serbe kishte ndërhyrë edhe në zgjedhjet serbe që po mbaheshin në Kosovë më 4 nëntor të vitit 2013, raporton Kosovapress. Ai, në atë kohë, tek mbante postin e zëvendësdrejtorit të Policisë serbe, ishte akuzuar nga partitë opozitare se kishte vendosur eksploziv në disa vendvotime, në mënyrë që t’i ndërpriste zgjedhjet.

Këto akuza i kishte mohuar Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë, duke thënë se të gjithë ata që kanë shkaktuar dhunë do të ndiqen penalisht.

Bratisllav Dikiq është arrestuar mbrëmë në Podgoricë së bashku me 19 persona tjerë, të gjithë shtetas të Serbisë, me akuzën për sulme terroriste ditën e zgjedhjeve parlamentare në Mal të Zi. Prokuroria e Malit të Zi ka thënë sot se Dikiq, së bashku me grupin e armatosur kriminal, kishin për qëllim që të sulmonin qytetarët, ta marrin Qeverinë me dhunë, si dhe të kidnaponin kryeministrin aktual, Millo Gjukanoviq.

Se si vepronte Dikiq gjatë kohës sa ishte në Xhandarmërinë serbe në veri të Mitrovicës, më 4 nëntor të vitit 2013, mund ta shihni videon më poshtë.