Nuk e duan varësinë nga SHBA-të: Franca dhe Gjermania skicojnë bashkëpunimin ushtarak të Evropës!

12.09.2016 21:53:59

Berlini dhe Parisi janë duke punuar në mënyrat me të cilat BE mund të zhvillojë forcën e tyre ushtarake.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, në fjalimin e tij të rregullt për gjendjen e Bashkimit, të mërkurën do të kërkojë fundin e izolimit të ushtrive evropiane, ndërsa liderët evropianë të premten – në Bratislavë – do të diskutojnë bashkëpunimin ushtarak pa Britaninë e Madhe.

Gjermania dhe Franca paraqitën një listë të detajuar të propozimeve, përfshirë komandën e përbashkët dhe të përhershme të një force evropiane për misionet civile dhe ushtarake. Ky veprim nuk do të thotë krijimin e një Ushtrie evropiane, por përfaqëson progres në ambiciet evropiane për ruajtjen e paqes dhe menaxhimin e katastrofave – që do të thotë ringjalljen e grupeve luftarake të Evropës, që ishin operative që nga viti 2007 e kurrë nuk u përdorën. Pra, Berlini dhe Parisi duan forcimin e Eurocorps-it, grupit të përbashkët ushtarakë të disa anëtarëve të BE-së dhe NATO-s.

Vendimi për të forcuar bashkëpunimin ushtarak, që për herë të parë e tentuan Franca dhe Britania e Madhe më 1998, nuk ka të bëjë tash me daljen britanike nga BE. Asnjë vend evropian, si i vetëm, nuk ka fuqi të mjaftueshme për të kundërshtuar shtetet në kufijtë e Evropës, militantët islamikë apo kërcënimet ruse.

Franca dhe Gjermania, si dhe zyrtarë të lartë ushtarakë të BE-së, duan të bashkëpunojnë me NATO-n që ka 22 prej 28 vendeve anëtare të BE-së.

“Një mbrojtje më e fortë dhe më e aftë evropiane do të çojë në një NATO edhe më të fortë”, thuhet në dokument.

Britania dhe Franca janë forcat më mëdha ushtarake evropiane, dhe britanikët janë në mesin e anëtarëve të NATO-s që plotësojnë kërkesat e shpenzimit të më shumë se dy për qind të buxhetit kombëtar për mbrojtje, transmeton Telegrafi.

Përfaqësuesja e Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Sigurisë, Federica Mogherini, bën thirrje për të ndërtuar “autonomi strategjike”, duke sugjeruar pavarësinë nga Shtetet e Bashkuara. Mogherini nxit “bashkëpunimin e përhershëm të strukturuar”, që do të lejojë disa ushtri evropiane që të punojnë së bashku, edhe pse vendet e tjera nuk dëshirojnë të marrin pjesë.

“Është bashkim i atyre që këtë e duan atë”, tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes të BE-së, duke shtuar se “nuk ka kohë më të mirë për të synuar këtë”,

Berlini dhe Parisi duan që qeveritë evropiane të marrin në konsideratë rritjen e financimit të misioneve dhe operacioneve evropiane, si dhe të ndajnë mjete për programin e kërkimit. Franca dhe Gjermania propozojnë të fillohet me ndarjen e 90 milionë eurove në periudhën nga 2017-2019. Fjala është për një buxhet të vogël në krahasim me miliarda dollarë që ndajnë Shtetet e Bashkuara, por kjo do të ndihmojë që BE të mos mbetet mbrapa në sferën ushtarake dhe të mos jetë e varur nga industria e mbrojtjes së vendeve si Koreja e Jugut dhe Izraeli.