Nuk kemi destinacion tjetër pos BE-së, por ndihemi të kërcënuar nga vonesa e saj, tha Thaçi

10.11.2016 16:41:42

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka zhvilluar një takim bilateral me Ministrin e Punëve të Jashtme të Britanisë, Boris Johnson.

Sipas një njoftimi, presidenti Thaçi e ka vlerësuar lart vizitën e kryediplomatit britanik dhe mesazhet e tij të dhëna në Kosovë dhe rajon.

“Rajoni nuk ka destinacion tjetër përveç BE-së. Ne jemi të inkurajuar që të vazhdojmë rrugën e integrimit në NATO dhe BE. Por, jemi të kërcënuar nga vonesa e BE-së, që po i krijon hapësirë të tjerëve të shtrijnë ndikimin në rajon”, ka thënë presidenti Thaçi.

E sipas njoftimit, kryediplomati britanik, Boris Johnson, ka shprehur përkrahje për aspiratën e tërë rajonit për anëtarësim në BE.

“Mbështesim angazhimin për bashkëpunim të mirë ndërfqinjësor në rajon”, ka thënë ai.

Presidenti Thaçi dhe kryediplomati Johnson kanë biseduar edhe për ndërtimin e partneritetit strategjik dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral në të gjithë sektorët ndërmjet Kosovës dhe Britanisë, thuhet më tej në njoftim.