Nuk mbrohet SHIK-u, duke vjellë kundër presidentit Rugova! Makthet nuk hiqen kështu!

10.12.2017 14:23:19

Nga Rexhep Kastrati

Më herët, Kadri Veseli ka deklaruar se në janar, do të jetë i pari që do të nënshkruajë për hetimin e SHIK-ut.

Edhe pse hetimi i SHIK-ut nga Kuvendi është një punë koti derisa ka informacione se janë vrarë edhe vrasësit e personaliteteve politike, ushtarake e medietike, janë humbur gjurmë dhe dosje të ndryshme, megjithatë ka vënë në lëvizje një makineri që mëton të lartësojë veprimtarinë e tij.

Pjesëtarë apo ish-pjesëtarë kanë filluar që të flasin dhe të shkruajnë për SHIK-un në mënyrë shumë afirmative, por që më shumë po e rëndojnë edhe më shumë, dhe po e tregojnë qëllimin e vërtetë të themelimit të tij.

Nga ato që po me bie të lexoj po konfirmohet se SHIK i formuar me vendim të Hashim Thaçit, ka pasur për qëllim ta luftojë presidentin Rugova, LDK-në, FARK-un, e jo Serbinë dhe forcat serbe.

Në këtë mënyrë, po i bëjnë më të besueshme dyshimet dhe akuzat publike se SHIK ka vrarë njerëzit e linjës institucionaliste të presidentit Rugova.

Përveç kësaj, përpjekja për të lartësuar SHIK-un, duke u munduar që me shpifje të përbaltet presidenti Rugova dhe linja institucionaliste në krye të të cilës ishte ai, dëshmon edhe një herë se linja e Tiranës/Kretës e formësuar pas takimit Nano – Milosheviq në dhjetor 1997, ka dalë për të rrënuar organizimin politiko-institucional të shqiptarëve të Kosovës, dhe për të hapur rrugën për përçarje dhe luftë ndërmjet shqiptarëve.

Dhe e treta që po konfirmohet nga këto shkrime lartësuese për SHIK-un është vazhdimësia e veprimtarisë kundërkombëtare e tyre, makthi që kanë nga presidenti Rugova dhe kompleksin e inferioritetit që kanë për shkak se nuk kanë asnjë betejë për t’u krenuar, siç është beteja e Loxhës e udhëhequr nga kolonel Tahir Zemaj.

Përkundrazi ata kanë një histori të vazhdueshme të tradhtive ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj Kosovës, të vrasjeve edhe brenda llojit etj.

Mendoj se kësi poshtërimi nuk meritojnë gjithë ata djem dhe vasha, gjithë ata burra e ato gra që nën emblemën e UÇK-së kanë luftuar me shpirt kundër pushtuesit dhe qëllim kanë pasur çlirimin e vendit, e jo luftën vëllavrasëse, ndarjen e Kosovës mbi baza etnike dhe realizim të interesave të tjera serbe.

Prandaj, ata që flasin apo shkruajnë për afirmimin e SHIK-ut, por që po e komprometojnë dhe dekonspirojnë atë dhe arsyet e formimit të tij, duhet ta kenë të qartë se nuk mbrohet veprimtaria e tyre dhe e SHIK-ut duke vjellë kundër presidentit Rugova dhe lëvizjes për liri, pavarësi, demokraci, sepse kjo ka rezultuar kundërproduktive që 20 vjet!

E nëse kanë frikë se nga janari e tutje do të ndodhin zhvillime dramatike, ndoshta edhe vrasje brenda llojit, vdekje të dyshimta, akuza kundër njëri-tjetrit, kjo frikë është çështje e tyre. Të pastërtit, të paimplikuarit në krime dhe në veprimtari tjera të këqia, nuk kanë pse të kenë frikë. Të tjerët, që janë të përfshirë dhe që u janë kthyer në ankthe, në trauma, kanë vetëm një rrugë: të çlirohen duke pranuar krimet që kanë bërë, apo në të cilat janë përfshirë dhe të kërkojnë mëshirën e Zotit!