Nxënësit e Çiflikut në Sopishtë përballen me vështirësi në transportimin për në shkollë

14.04.2017 18:39:11

Problemi me transportin i lë shpesh herë pa mësim nxënësit e shkollave të mesme të fshatit Çiflik në komunën e Sopishtës. Ky problem është paraqitur edhe sot për rreth 80 nxënës të këtij fshati. Njëri nga prindërit, Gafurr Jusufi, thotë se për shkak të festës fetare ortodokse, autobusi sot nuk ka ardhur t’i marrë nxënësit e këtij fshati por edhe të fshatit Sveta Petkë. Për këto arsye numri i madh i nxënësve ka mbetur pa mësim.

“Edhe sot, edhe tjera herë festat kur kanë qenë, autobusi tek ne në 6, fëmijët kanë mbetur pa shkuar në shkollë. Në jemi detyruar si prind me i çuar disa në Sonjë, disa me i çuar në komunën e Sopishtës, për me e arrit 24-tën, apo 58-tën që shkon në Dobridoll. E tash në ora 6 e gjysmë atje ka autobus, ato kanë festë. Ato nuk mësojnë dhe nuk shkojnë nëpër punë, ne duhet të shkojmë. E tash nxënësit në ora 5 janë zgjuar sot, kanë prit autobusin, në fund ai nuk ka ardhur”, thotë për Tv Shenja, prindi Gafurr Jusufi.

Nxënësit thonë se e kanë pritur disa orë në mëngjes autobusin dhe më pas i kanë njoftuar prindërit.

“Sot në mëngjes jemi zgjuar në ora 5 e gjysmë, dhe autobusin e kemi në 5 e gjysmë. Është vonuar dy orë, ne e kemi pritur në rrugë. Edhe prindërit i kemi lajmëruar me dalë me na çuar në shkollë, se nuk kemi autobusë”, thotë njëri nga nxënësit.

Përveç problemit me transportin gjatë festave fetare, sipas banorëve të Çiflikut, nxënësit kanë problem edhe gjatë ditëve tjera, pasi linjat nuk u përshtaten me orët e mësimit. Profesori Ajrulla Jakupi thotë se nxënësit, por edhe vetë profesorët detyrohen të lënë orët.

“Mbi 80 nxënës të fshatit të cilët vizitojnë shkollat e mesme si gjimnazi, mjekësia, ekonomia dhe shumë shkolla tjera, por edhe studentët që dëshirojnë të rrinë pas orës 17:20, kushtet e transportit atë nuk u mundëson. Kjo për arsye se në fshatin tonë autobusi që vjen me numër 58/2, deri në fshatin Sveta Petkë si stacion të fundit, i detyron që prindërit të shkojnë te drejtoritë e shkollave dhe të kërkojnë që të lirohen nxënësit e shkollave të mesme, të mos e mbajnë orën e 7-të dhe të 8-të”, thotë profesori Ajrulla Jakupi.

Banorët e Çiflikut thonë se edhe pse ata kërkojnë që tu shtohen linjat, nga Transporti publik i Shkupit po bëjnë të kundërtën, duke shkurtuar linjat. Çiflikasit apelojnë tek Komuna e Sopishtës, ministria e Arsimit dhe deri te Transporti publik që t’i marrin parasysh kërkesat e tyre dhe të respektojnë ligjet dhe obligimet që nxënësit mos të ngelin pa mësim.