Osmani i përgjigjet Thaçit: Kërkesa për seancë duhet të bëhet disa ditë...

Osmani i përgjigjet Thaçit: Kërkesa për seancë duhet të bëhet disa ditë më herët

04.03.2020 14:15:01

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, i është përgjigjur me një shkresë zyrtare presidentit Hashim Thaçi, lidhur me kërkesën e tij që t’i adresohet Kuvendit, duke thënë se kërkesa duhet të dorëzohet disa ditë më herët në mënyrë që Kuvendi të ketë kohë për të organizuar seancën.

Osmani në letrën e saj drejtuar Thaçit thotë se kërkesa e presidentit për adresim para deputetëve do të trajtohet që në mbledhjen e parë të Kryesisë pas 9 marsit.

“Për më tepër ju njoftoj se Kuvendi i Kosovës si shumica e deputetëve do të jenë të angazhuar në aktivitetet e organizuara për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në letër.

Ndryshe, presidenti Thaçi ka kërkuar që të mbahet një seancë e Kuvendit të Kosovës në ora 16:00 në mënyrë që t’i njoftojë deputetët për vizitën në SHBA.

Ai ka thënë se nëse nuk i mundësohet raportimi në Kuvend do t’u drejtohet qytetarëve përmes konferencës për media.

Sipas tij, askush nuk është pronar i Kuvendit.