Pacolli: Askush nuk mund ta pengojë pjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e Sofjes

08.04.2018 21:49:37

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se askush nuk mund ta vë në dyshim apo ta pengojë pjesëmarrjen e Kosovës në Samitin e Sofjes.

Përmes një shkrimi në Facebook, Pacolli ka thënë se pjesëmarrja e Kosovës do te jetë e barabartë me vendet tjera në këtë ngjarje.

Ky samit pritet që të nisë me 17 maj në kryeqytetin e Bullgarisë.

“Ajo tashmë është zyrtare edhe në Agjendën e Këshillit Evropian. Ky takim duhet të shikohet si mundësi për t’i dhënë energji të reja marrëdhënieve në mes BE-së dhe gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor: nga forcimi i lidhjeve në infrastrukturë, atë digjitale, ndër-njerëzore e deri tek bashkëpunimi më i afërt në luftimin e sfidave të përbashkëta siç janë: siguria, migrimi, zhvillimet gjeopolitike dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

“Historia ka dëshmuar se nga bashkëpunimi dhe integrimi në Evropë është ruajtur paqja, është rritur siguria, janë zhvilluar ekonomitë dhe ngritur mirëqenia e qytetarëve. Ky model mbetet i pazëvendësueshëm”.