Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka vizituar sot qytetin e Mitrovicës, ku i shoqëruar nga Kryetari Agim Bahtiri, fillimisht ka mbajtur takim me qytetarë, ndërsa më vonë është takuar edhe me përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme të Japonisë.
Në takimin me qytetarë Presidenti Pacolli ka diskutuar për projektet e përfunduara si dhe për investimet e reja në qytetin e Mitrovicës.
Në këtë takim, Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, në prani të qytetarëve, ia prezantoi Presidentit Pacolli një raport rreth projekteve të përfunduara të Komunës duke përmendur këtu edhe heqjen e barrikadave dhe shkëputjen e nepotizmit dhe krimit të organizuar.
Në fjalën e tij para qytetarëve Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli fillimisht i ka përshëndetur përfaqësuesit e minatorëve të Trepçës, të cilët kishin ardhur për ta takuar.
Pacolli e ka përgëzuar Kryetarin Bahtiri për realizimin e projekteve dhe aspiratave në qytetin e Mitrovicës. Ai gjatë fjalës së tij ka përmendur edhe kohën kur i kishte propozuar Bahtirit që të kandidonte për të parin e Mitrovicës. Pacolli ka thënë se ishte bazuar në punën dhe angazhimin e Bahtirit në sferën ndërkombëtare.
“Të gjitha ato punë, kërkojnë vullnet, motiv dhe angazhim. Ju përgëzoj dhe ju them se Mitrovica sot është kthyer ne binarë.” ka theksuar Pacolli.
I pari i AKR-së ka thënë se Aleanca Kosova e Re, asnjëherë nuk do të ndalë punën dhe angazhimin për ta arritur qëllimin. “ Qëllimi ynë është mirëqenia e qytetarit. Ne do të vazhdojmë punën dhe angazhimin tonë për t’ia kthyer shpresën popullit tonë”.
Para qytetarëve ka folur edhe Kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri, i cili e ka falënderuar Presidentin Pacolli për përkrahjen dhe i ka premtuar se do të vazhdojë punën për nxitjen e prodhimtarisë në qytetin e Mitrovicës , me qëllim të përmirësimit të standardit dhe mirëqenies së qytetarëve.
“Misioni im ka qenë që njëherë e përgjithmonë ky qytet të largohet nga kthetrat e atyre që e kanë zotëruar qytetin për përfitime personale. Ardhja ime në krye të Mitrovicës i ka zhdukur këto dukuri, ndërsa ashtu si deri tash, AKR do të vazhdojë me nxitjen e prodhimtarisë vendore si dhe sjelljen e investitorëve të rinj në Mitrovicë”, ka thënë ndër të tjera kryetari Bahtiri.
Presidenti i AKR-së më pas zhvilloi një takim me delegacionin e Ministrisë së jashtme të Japonisë, të cilët kishin ardhur për t’i vëzhguar nga afër punët në fabrikën e kërpudhave “Hirano mushrooms”, fabrikë kjo e cila përdorë teknologji japoneze.
Fabrika e kërpudhave “Hirano Mushrroms”, eksporton direkt ne tregun e jashtëm, duke përfshirë këtu Hollandën, Gjermaninë, Francën dhe Anglinë. Aktualisht fabrika numëron deri ne 65 punëtorë, ndërsa me funksionalizimin e pjesës tjetër të saj, do te punësohen edhe 180 punëtorë të tjerë.
Presidenti Pacolli premtoi se do të vazhdojë edhe më tej angazhimin e tij për hapjen e fabrikave të reja në Kosovë, si dhe për sjelljen e investitorëve të ri në vendin tonë.
Gjatë qëndrimit të tij në qytetin e Mitrovicës, lideri i AKR-së e ka vizituar edhe liqenin artificial, urën e Ibrit, sallën e sporteve, pishinat, si dhe disa projekte të tjera të cilat janë në zhvillim e sipër.






































