Parisi “ndizet flakë” për 1 maj, policia përplaset me protestuesit

01.05.2018 18:54:58

1maji paraqet një fytyrë tjetër në vendet Perëndimore, ndërsa në Shqipëri festohet dhe dilet shëtitje. Kryeqyteti më i dhunshëm në Ditën Ndërkombëtare të Punës duket se ka qenë Parisi ku mijëra punëtorë dhe sindikata kanë dalë në protesta, duke mos kursyer përplasjet me policinë.

Përleshjet më të ashpra kanë qenë ato me anarkistë të ekstremit të majtë, të cilët shihen në foto me fytyrën e mbuluar. Demonstruesit, të vlerësuar të paktën 1,200 nga prefektura e Parisit, hodhën objekte e sende të forta mbi agjentët policorë, të cilët u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe ujë.

Siç raporton Le Parisien, një autoshkollë dhe një restorant fast-food janë dëmtuar dhe grabitur.

Ministri i Brendshëm Gerrard Collomb ka dalë në konferencë për shtyp duke dënuar dhunën e ushtruar nga protestuesit. “Dënoj ashpër dhunën dhe aktet degraduese të kryera në kuadër të lëvizjeve të 1 Majit në Paris”, u shpreh Collomb, në një cicërimë në Twitter.

Ministri siguroi se “është marrë çdo masë e nevojshme për të ndaluar këto trazira serioze dhe për të arrestuar ata që janë përgjegjës për këto akte të papërshkrueshme”.