Pas takimit me Delawie, LDK thotë se është unike për demarkacionin

09.05.2017 14:31:03

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se ky subjekt politik është unik sa i përket demarkacionit me Malin e Zi dhe për çështjet tjera në interes të shtetit.

LDK përmes një komunikate për media njoftuar për takimin që kryetari i saj, Isa Mustafa  bashkë me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Greg Delawie dhe me shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova kanë pasur me Grupin Parlamentar të LDK-së.

“Në takim, përveç tjerash, u diskutua edhe për proceset politike aktuale, në veçanti për procesin e ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi. LDK-ja dhe Grupi Parlamentar rikonfirmuan unitetin e plotë për këtë dhe çështje të tjera me rëndësi jetike për qytetarët e Kosovës si dhe për fuqizimin e partneritetit me SHBA-të dhe BE-në. LDK-ja, si edhe deri më tani, do të jetë garancia kryesore në mbështetje të interesave të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e LDK-së, transmeton lajmi.net.

Më tej thuhet se deputetët e LDK-së kërkuan procedimin  demarkacionit në Kuvend.

“Në vijim të takimit, ku ishin të pranishëm vetëm kryeministri Isa Mustafa dhe deputetët e LDK-së, Grupi Parlamentar i LDK-së vlerësoi lartë punën dhe përkushtimin e vazhdueshëm të Qeverisë sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe kërkoi nga kryeministri dhe Qeveria që Marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi të procedohet për ratifikim në Kuvend menjëherë pas seancës së nesërme, në të cilën do të diskutohet mocioni i ngritur nga subjektet opozitare”, thuhet në njoftimin e LDK-së.