Dick Advokaat, trajneri i ri i Holandës

09.05.2017 14:35:24

Federata Holandeze e Futbollit zgjedh më në fund trajnerin e skuadrës përfaqësuese. Bëhet fjalë për Dick Advokaat i cili do të zëvendësojë Danny Blind, i cili u shkarkua në muajin mars pas humbjes me Bullgarinë në kualifikueset e botërorit të vitit 2018.

Qeveria e futbollit në Holandë konfirmoi se Advokaat ka nënshkruar një kontratë që e mban atë në këtë detyrë deri në përfundim të fazës eliminatore dhe ajo mund të rinovohet nëse ai do të jetë në gjendje që ta kualifikojë skuadrën e tulipanëve në Kupën e Botës që do të luhet në Rusi. Në të njëjtën kohë, Federata Holandeze bën të ditur se asistenti i Advokaat do të jetë Rud Gullit. Advokaat e pret një detyrë e vështirë në këto kualifikuese pasi Holanda renditet në vendin e katërt të Grupit A me 7 pikë të grumbulluara në 5 ndeshje, 6 më pak se Franca kryesueses.

Kjo do të jetë hera e tretë që Dick Advokkat do të drejtojë përfaqësuesen e Holandës. Më parë ai ka qenë në pankinën e Portokallinjve në periudhën 1992-1994 duke i drejtur deri në çerekfinale të botërorit të SHBA dhe në periudhën 2002-2004 duke e çuar Holandën në gjysmëfinale të Evropianit të Portugalisë.