PD: Thellohet skandali i taksës 10 euro në Rrugën e Kombit, u shkelën kriteret e tenderit

31.07.2016 13:30:45

Partia Demokratike e Shqipërisë ka reaguar lidhur me taksën e vendosur për kalim në rrugën e Kombit, duke thënë se taksën prej 10 euro, Edi Rama e ka vendosur mbi kurrizin e shqiptarëve për një kalim në Rrugën e Kombit.

Sipas tyre, përveçse një barrë e re mbi qytetarët e xhepat e tyre, fakte të reja tregojnë se bëhet fjalë për një aferë të pastër korruptive.

“Qeveria ka shkelur kriterin ligjor në tender, kriter që vetë e kishte vendosur, ku u përcaktua se firma më e favorizuar në garë do te ishte ajo që do kërkonte me pak fond rimbursimi nga qeveria. Ndërkohë, Edi Rama shpalli fituese kompaninë turke, edhe pse ka kërkuar 600 mijë euro më shumë fond rimbursimi se sa operatori tjetër në këtë garë”, thuhet në një njoftim për media.

Sipas tyre, kjo taksë është e padrejtë, por edhe është vendosur mbi një aferë ku është shkelur haptazi konkurrenca dhe ligji. “Qytetarët janë me të drejtë të revoltuar nga taksa Rama për Rrugën e Kombit. Partia Demokratike përkrah qëndrimin e qytetarëve dhe ne i sigurojmë shqiptarët se do ta anulojmë këtë koncesion sapo të marrim përgjegjësinë e drejtimit të vendit”, thuhet në njoftim