PD zbulon dëshmitarin “X”: Agron Xhafaj komandon kanabisin në Vlorë (VIDEO)

17.05.2018 16:09:16

Albert Veliu është emri i të ashtuquajtur dëshmitari X, protagonist në audiopërgjimin e publikuar disa ditë më parë nga PD.

Ai është shfaqur me zë dhe figurë në një video të shfaqur nga selia e PD, pas konferencës së jashtëzakonshme për shtyp të kryedemokratit Lulzim Basha.

“Albert Veliu, 51 vjeç. Kam qenë në Itali, kam punuar tërë jetën në det, ’93-’99, në 2000 isha në Itali me grupin e Agron Xhafaj, deri në 2002. Shisja kokainë në Itali”, nis rrëfimin dëshmitari X që tashmë ka identitet.

Ai vijon të thotë se në 2005 i ndodhi aksident në punë dhe kreu një dënim prej 7 vjetësh, ku u kap me kokainë, plotë 12 kg. “U kapa në Pescara, bëra dënimin. Kurse nga Agroni ishte mbetje qejfi. Gjatë kësaj kohe që punonim bashkë nuk më solli një copë letër si shok. Kur dola nga burgu vij në Shqipëri, e takoj, më ofroi gjoja një nder për punë për djalin, kamarier. Djali është 22 vjeç”, thotë ai.

Më tej, në dëshminë e tij të dhënë në videon e transmetuar nga PD, Albert Veliu rrëfen më tej se e kishte telefonuar Agroin Xhafajn për t’i kërkuar ndihmë që të kalonte një ngarkesë me kanabis në Itali, pasi sipas Veliut, Xhafaj komandonte gjithë trafikun e kanabisit në Vlorë për shkak të njohjeve me drejtorin e policisë së Vlorës, drejtorin e kufirit dhe të tjerë zyrtarë të tjerë në Vlorë.

Ai ka mohuar që bisedën me vëllain e ministrit ta ketë bërë ai.

“Zëri e biseda e përgjimit janë të vërteta, por se kush e ka e përgjuar e di vetëm Agron Xhafaj. Zëri është i Agronit, ta çojnë ku të duan videon për ta vërtetuar”, tha mes të tjerash 51-vjeçari.