Pedagogu i UET në çadër, Gurakuqi: Republika e Re, nismë esenciale

23.03.2017 10:31:54

Historiani Romeo Gurakuqi tha se 22 Marsi shënon periudhën e ndërtimit të Shqipërisë së lirë e demokratike. Gurakuqi tha se Shqipëria sot ndodhet në një situatë të vështirë, ndaj duhet një përpjekje e madhe për të themeluar një republikë të re.

Më 22 mars filloi periudha e rindërtimit institucional të Shqipërisë, bazuar në parimet e lirisë, shtetit të së drejtës, ndarjes së pushteteve, një sistemi Republikë parlamentare që respektonte liritë dhe të drejtat e njeriut.

Por, sot jemi mbledhur këtu për të përkujtuar këtë datë, por njëkohësisht jemi mbledhur në kuadrin e një situate shumë të rëndë që po kalon vendi.

Në këto rrethana, nisma për themelimin e një Republike të Re nuk është një shprehje e rastësishme kalimtare, por do të thoja është një nismë esenciale që kërkon reflektim dhe marrjen e masave konkrete përmes konstitucionalistëve më të mirë jo vetëm shqiptarë, por do të ftoja PD-në që këtë ta bëjë përmes konstitucionalistëve më të mirë perëndimorë, për ta rithemeluar Shqipërinë si një Republikë të ngjashme me të njëjtat reforma të vendeve të Europës Lindore, postkomuniste, ato që kanë avancuar më përpara në sensin e ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe këtu shembulli i Sllovenisë është më konkreti. Një Republikë të vlerave dhe jo një Republikë të krimit të organizuar!”, -tha Gurakuqi.