Për nëntë muaj, Ahmeti e shpenzoi vetëm gjysmën e buxhetit (Dokument)

09.11.2016 17:32:09

Komuna e Prishtinës në periudhën për nëntë muaj, 1 janar – 30 shtator ka shpenzuar gjithsej 54.71 për qind të buxhetit të miratuar për vitin 2016. Shpenzim i ulët përsëri janë mjetet e planifikuara për investimet kapitale.

Ekzekutivi komunal që kryesohet nga kryetari Shpend Ahmeti ka vendosur të mos raportojë në Kuvend për shpenzimin e buxhetit për përudhën 1 janar – 30 shtator. Asambleistëve të Prishtinës u është dërguar një raport në formë elektronike, ku tregohet në vija të trasha për shpenzimin e buxhetit për këtë periudhë. Një kopje të këtij raporti e posedon edhe lajmi.net.

Në total, buxheti për vitin 2016 ka qenë 73 milion e 164 mijë euro. Për nëntë muaj janë shpenzuar gjithsej 40,029,436.14  euro. Prej tyre, 20,851,513.35  euro janë shpenzuar në paga dhe mëditje, 5,660,219.07  euro në mallra dhe shërbime,  1,284,796.52  euro në shërbime komunale, 1,035,021.36  euro në subvencione. Derisa buxheti për investime kapitale është në vlerë prej 33 milion e 952 mijë euro, prej 1 janarit deri me 30 shtator janë shpenzuar vetë, 11 milion e 197 mijë euro.