Përfundojnë “Ditët e Agimit” – rikujtohet vepra e Agim Ramadanit

03.05.2017 19:48:26

Manifestimi treditor tradicional kulturor “Ditët e Agimit”, i cili i kushtohet figurës së dëshmorit të kombit, Agim Ramadani, në ditëlindjen e tij, ka përfunduar me tubimin qendror në fshatin Zhegër të Gjilanit me moton “I këndojmë Agimit”, njofton kumtesa komunale.

“Sot, së bashku me mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, po e shënojnë rilindjen e madhe të Agim Ramadanit. Kjo rilindje ishte sinonim i lirisë. Agimi u sakrifikua për të jetuar shqiptarët bashkë, të lirë e të barabartë, pa e cenuar e kërcënuar askënd. Jam i nderuar që sot jam pjesëmarrës në rilindjen e madhe të Agim Ramadanit, vendlindjen e tij, në Karadakun i cili sivjet shënon përvjetorin e madh të Idriz Seferit”, ka thënë ne fjalën e tij para të pranishmëve kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.

Fjalë përshendetëse pati edhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, i cili tha se personalisht e ka admiruar Agim Ramadanin si shembull të ushtarit të zot, si njeri i pastër dhe si ai që për bashkëluftëtarët është vëllai më i mirë që e ke afër.

Në emër të Brigadës “138 Agim Ramadani” ka folur Xhafer Gashi, duke thënë se Agimi ishte njeri i unitetit dhe se ai çdo kund gjendej aty ku e kërkonte atdheu.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka deklaruar se është një ditë e gëzuar që sot nderohen me këngë e me poezi heronjtë e luftës, duke uruar që vepra e Agimit të shkojë e plotë në zemrat e çdo shqiptari.

Në emër të familjes Ramadani të pranishmit i ka falënderuar vëllai i Agimit, Jashar Ramadani, i cili u zotua se, si familje, do të vazhdojnë ta japin kontributin dhe përkrahjen e përbashkët në interes të të gjithë qytetarëve.

Tubimi “I këndojmë Agimit” është përmbyllur me një program të pasur kulturor-artistik, ku performuan këngëtarët të mirënjohur të estradës kosovare.