Përshkallëzohen tensionet mes Rusisë dhe SHBA, ambasadori amerikan bën lëvizjen urgjente, detyrohet të largohet menjëherë nga…

20.04.2021 15:14:20

Tensionet mes SHBA-ve dhe Rusisë për çështjen e Ukrainës kanë detyruar ambasadorin amerikan në Moskë, John Sullivan që të largohet menjëherë për të kryer konsultime në Uashington.

Lajmi është konfirmuar nga vetë faqja zyrtare e ambasadës amerikane në Moskë, ku tashmë shkaku është rritja e tensioneve mes dy vendeve.

Ambasada njofon se ambasadori Sullivan po kthehet në Shtetet e Bashkuara për konsultime këtë javë: “Unë besoj se është e rëndësishme për mua të flas drejtpërdrejt me kolegët e mi të rinj në administratën e Biden në Uashington për gjendjen aktuale të marrëdhënieve dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Gjithashtu, unë nuk kam parë familjen time për më shumë se një vit, dhe kjo është një arsye tjetër e rëndësishme për mua që të kthehem në shtëpi për një vizitë. Unë do të kthehem në Moskë në javët e ardhshme përpara çdo takimi të mundshëm midis Presidentëve Biden dhe Putin”.

Tensionet mes Uashingtonit dhe Moskës janë përshkallëzuar në javët e fundit. Javën e kaluar, presidenti amerikan, Joe Biden njoftoi për sanksione të ashpra ndaj Rusisë për shkak të sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve ndaj ushtarëve amerikanë në Afganistan.

Edhe disa çështje tjera kanë ndikuar në tensionet mes dy vendeve siç është: burgosja dhe përkeqësimi i shëndetit të kritikut të Kremlinit, Alekandar Navalny, pastaj dërgimi i forcave shtesë ushtarake ruse në kufi me Ukrainën si dhe akuzat e Çekisë për përfshirjen e Rusisë në një shpërthim vdekjeprurës në një depo municionesh më 2014.

REL thekson se njoftimi i Sullivanit vjen pasi ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në fillim të kësaj jave tha se ndihmësi i lartë i politikës së jashtme të Putinit, Yury Ushakov, kishte rekomanduar që Sullivan të kthehej në Uashington për të bërë “konsultime serioze”.

I dërguari i Rusisë në Shtetet e Bashkuara muajin e kaluar u kthye në Moskë për konsultime pasi Biden deklaroi që ai besonte se presidenti rus Putin është një vrasës.