Peshkopi antishqiptar e gjeti shqiptarinë në gjumë

02.02.2017 18:16:14

Nga Shaban Murati

Peshkopi i njohur antishqiptar i Kishës ortodokse serbe në Mal të Zi, Amfilohije, erdhi në Shkodër këto ditë dhe me maskën e misionit fetar përdhosi historinë e Shqipërisë, të Skënderbetut, të Shkodrës, shiti pushtimin për çlirim, rivendikoi qytetin dhe territore shqiptare, dhe tentoi të nxiste përçarjet fetare. Prifti i nacionalizmit serb u la i lirë të bënte politikë dhe jo rastësisht pranë tij ndodhej edhe ambasadori i stazhionuar i Serbisë në Tiranë. Në Shkodër, në vend që ta “kapnin prej zhelesh”, i dhanë edhe Teatrin e njohur “Migjeni”, që të amplifikonte helmin e tij antishqiptar.
Tirana shtetërore, politike, analitike, civile apo çfarë të doni, nuk pipëtiu fare për këtë akt të rëndë të dhunimit të sovranitetit dhe të dinjitetit shtetëror dhe kombëtar. Në vitin 2011 kam kërkuar publikisht që atij t’i ndalohet hyrja në Shqipëri. (“Ballkani Faustian”, fq.137). Peshkopi antishqiptar e gjet shqiptarinë në gjumë dhe ai ka kaluar shumë herë nën mustaqet e patriotizmit folkorik shqiptar.
Për të freskuar kujtesën shqiptare me profilin e këtij antishqiptari patologjik, po sjell për miqt e mij një shkrim timin të botuar në 20 tetor 2008 për këtë prift të luftës.

Prifti i Luftës

Është thënë se gjeneralët bëjnë luftrat e së shkuarës, dhe kjo është e lidhur me karakterin e profesionit të tyre. Por kur luftërat e së shkuarës kërkojnë t’i ribëjnë ata, që më pak duhet t’i bëjnë, p.sh. barinjtë shpirtërorë të popujve, drejtues të fesë, atëherë kjo nuk lidhet vetëm me karakterin dhe gjendjen e tyre psikike.

. Ndaj dhe deklaratat e reja luftëndjellëse të mitropolitit të kishës ortodokse serbe në Mal të Zi, Risto Radoviç, alias Amfilohije, shkaktuan një shqetësim real në disa kryeqytete të rajonit dhe të vendeve europiane. “Lufta është e paevitueshme në Ballkan, për shkak të kushteve të serbëve në Kosovë. Do të ketë një periudhë paqeje, por do të jetë një kohë që përgatit konfliktin e ri, betejën e re, luftën e re”, – deklaroi Amfilohije me16 tetor.
Shqetësimi që ngjalli deklarata luftënxitëse e Amfilohijes në shkallë ndërkombëtare, nuk është pa baza, sepse ai nuk është një eremit i panjohur i fandaksur apo një prift fshati të humbur malor. Shqetësimi vjen si nga e kaluara e mitropolitit, por edhe nga funksioni i tij i lartë fetar, sepse përveç drejtimit të kishës serbe në Mal të Zi, Amfilohije kryen që nga nëntori i vitit të kaluar edhe detyrën e patriarkut të kishës ortodokse të Serbisë. Me këto deklarata që ia dha agjencisë Rojter, ai kërkon t’i bëjë të ditur edhe botës, frymën dhe fondamentalizmin e ideve dhe shpirtit të tij si udhëheqës fetar, të cilat i shpreh çdo ditë në predikimet e tij kishtare dhe në gjithë manifestimet fetare, politike e letrare ku merr pjesë.
Amfilohije nuk bën profeci, por bën thirrje për luftë, luftë në Kosovë dhe luftë në Ballkan.
Amfilohije bën politike, jo fe. Bën politikë, sepse kërkon të krijojë një histeri të re antishqiptare në Serbi dhe në Mal të Zi e të provokojë konflikte popujsh e shtetesh. Ai kërkon të yshtë turmat e besimtarëve serbë, që të përgatiten dhe të ndërmarrin luftëra të reja për të “çliruar” vëllezërit e tyre serbë në Kosovë dhe për të pushtuar “djepin e kishës serbe”.
Ai e ndërmerr këtë fushatë luftënxitëse në një kohë kur në Ballkan situata karakterizohet nga një qetësim dhe stabilitet dhe një relaksim i tensioneve ndërballkanike. Pavarësimi i Kosovës dhe njohja e saj nga shumica e vendeve ballkanike ka krijuar një koniukturë të re rajonale, më të favorshme për bashkëpunimin shumëpalësh dhe për integrimin e tyre euroatlantik. Është një zhvillim strategjik pozitiv, të cilin nuk e shohin me sy të mire forcat e së kaluarës së zezë të Ballkanit, të lidhur ngushtë me politikën e përgjakshme nacionaliste të ish- diktatorit Sllobodan Millosheviç, politikë me të cilën identifikohet dhe ka qenë e lidhur ngushte kisha ortodokse serbe dhe vetë mitropoliti Amfilohije.
Amfilohije e ndërmerr këtë fushatë, kur në Serbi po zhvillohet një betejë politike dhe filozofike mes forcave, të cilat kërkojnë ta çojnë Serbinë në familjen europiane, dhe forcave të cilat kërkojnë ta gozhdojnë në të kaluarën e armiqësisë me të gjithë popujt e rajonit, në të kaluarën e luftërave dhe ëndrrave të vdekura për sundimin serb të Ballkanit. Mitropoliti e rreshton veten dhe kishën me forcat më radikale serbe, që drejtohen nga krimineli i luftës, Vojislav Sheshel, që ndodhet në Gjykatën e Hagës, dhe i cili kërkon prapë luftëra serbe kundër Kosovës, Bosnjës dhe Kroacisë. Ai kërkon të ndërsejë besimtarët dhe popullin e thjeshtë kundër tendencave dhe qëndrimeve realiste në politikën serbe dhe t’u bëjë presion atyre, që t’u rikthehen fantazmave të së shkuarës.
Kaq aktiv është Amfilohije në politikën e përditshme, sa e ka kthyer kishën në një parti politike radikale antidemokratike. Ai ka qenë aktiv kundër pavarësisë së Malit të Zi dhe angazhoi të gjithë forcat dhe burimet fetare në Mal të Zi për të penguar më 2006 referendumin e pavarësisë së vendit të tij. Megjithëse është vetë malazez, ai ka luftuar me të gjitha mjetet konstituimin e Kishës Autoqefale Ortodokse të Malit të Zi dhe po ashtu, ka mohuar gjuhën dhe identitetin shtetëror e kombëtar malazez. Ai ishte kundër pavarësisë së Kosovës dhe organizoi mesha e liturgji kundër pavarësisë, duke nxitur urrejtje për shqiptarët. Ai ndërhyri në mënyrë flagrante në politikën shtetërore malazeze, duke bërë presione e duke u dërguar letra kërcënimi presidentit dhe kryeministrit të Malit të Zi në fillim të muajit tetor, që qeveria të mos merrte vendim për njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës. Në protestat e dhunshme, që shpërthyen në Podgoricë me rastin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, ishte dora e shërbimeve sekrete serbe dhe frymëzimi i kishës ortodokse serbe.
Roli dhe pjesëmarrja e kishës ortodokse serbe në luftërat e përgjakshme, që Serbia e Millosheviçit ndërmori kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Kosovës, janë të njohura dhe ndërkombëtarisht të verifikuara. Kisha serbe ka qenë një ndër shtyllat kryesore të regjimit dhe të politikës ekspansioniste serbe dhe një nga prodhuesit kryesorë të histerisë nacionaliste serbe. Mitropoliti Amfilohije është një figurë protagoniste e kësaj histerie nacionaliste serbe kundër popujve joserbë. Mik i ngushtë i kriminelit serb Radovan Karaxhiç, ai ka glorifikuar veprimtarinë e tij kriminale dhe e ka mbështetur, duke e ndihmuar t’i fshihet drejtësisë ndërkombëtare për vite me radhë, nëpër manastiret e kishës ortodokse serbe. Në mënyrë sfiduese ndaj drejtësisë dhe opinionit ndërkombëtar, Amfilohije i bëri një vizitë Karaxhiçit në burg kësaj vere, kur e kishin arrestuar autoritetet serbe para se ta dërgonin në Hagë. Në fjalimin, që mbajti në funeralin e nënës së Karaxhiçit, Amfilohije e quajti Karaxhiçin njeri të pavdekshëm. Që në vitin 2005 ambasadori amerikan, Riçard Hollbruk njoftoi se Karaxhiçin e fsheh kisha serbe, ndërsa gazeta “Monitor” e Podgoricës shkruante se Karaxhiçin e fsheh mitropoliti Amfilohije.
Amfilohije ka pasur mik të ngushtë edhe kriminelin tjetër të njohur serb, Arkanin, dhe ka bekuar bandat e tij, që kanë vrarë mijëra njerëz në Bosnjë dhe në Kosovë. Mitropoliti Mihajllo i Kishës Ortodokse Autoqefale të Malit të Zi ka prezantuar një libër të titulluar “Krimet e Amfilohijes” dhe deklaron se Amfilohije duhet të japë llogari në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës.
Për t’i bërë më të qartë lexuesit se kush është Amfilohije, po japim një profil të tij të deklaruar publikisht para pak ditësh nga kryetari i parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç : “Unë jam i lumtur të them se Risto Radoviç, Amfilohije, ka parë tek ne një forcë kundër gjithçkaje që ai përfaqëson: shovinizmin nacional, mbrojtjen e kriminelëve të luftës, luftën civile. Amfilohije i trembet drejtësisë. Ai e ndjen se drejtësia europiane do të shkojë tek ai, sa më shumë ne i afrohemi BE-së. Është për të ardhur shumë keq që Gjykata e Hagës nuk ka akuzuar ndonjë nga udhëheqësit e kishës. Duke u fshehur pas fjalëve hyjnore dhe akteve satanike, një numër i madh i tyre meriton të çohen në gjyq”.
Është për të ardhur keq që qeveria e Beogradit nuk u distancua nga kushtrimet ushtarake të Amfilohijes. Derisa ishte Vojislav Koshtunica kryeministër, kjo nuk mund të ndodhte, sepse Amfilohije është kunati i tij dhe shok armësh dhe ideali nacionalist, por një distancim të tillë tani e kërkon një vokacion i vërtetë europian.
Thirrjet dhe histeria luftënxitëse e mitropolitit dhe udhëheqësit të kishës ortodokse serbe duhet t’i bëjë disa politikanë, diplomatë dhe zyrtarë në disa kryeqytete europiane, ta shohin më nga afër se ç’ndodh brenda shoqërisë serbe dhe të mos jenë shumë dorëlëshuar në indulgjencat integruese ndaj Serbisë. Siç duhet t’i bëjë edhe disa kozmopolitë të vonuar në këtë cep shkëmbor të gadishullit, që të mos e harrojnë se përveç rreziqeve që vijnë nga mulla omarët tutje në Afganistan, ka edhe rreziqe shumë të mëdha, që vijnë nga mitropolitët, këtu tek dera e shtëpisë në Ballkan.