Plagoset me thikë 60-vjeçari, policia: Autori, me probleme mendore

30.04.2017 21:18:23

Një plagosje me thikë ka ndodhur pasditen e sotme në Korçë. Burime nga policia bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në lagjen nr 15 Korçë, ku  një person ka goditur me mjet të mprehtë (thikë) shtetasin R.Z, rreth 60 vjeç.

Menjëherë në vendngjarje u dërguan shërbimet e Policisë. Shtetasi R.Z, kishte marrë plagë të lehta në fytyrë dhe u dërgua në Spital për të marrë ndihmën e parë mjekësore.

Nga hetimet paraprake rezulton se autori i kësaj ngjarje është shtetasi D.M, banues në lagjen nr 16, i evidentuar nga ana jonë si shtetas me probleme mendore.

D.M pas kryerjes të këtij veprimi u mbyll në banesën e tij. Falë negociatave të kryera nga shërbimet policore, ky i fundit është vetëdorëzuar dhe po shoqërohet në ambientet e Komisariatit për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.

Gjatë këqyrjes së banesës së tij iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale thika me të cilën D.M kishte goditur shtetasin R.Z. Po punohet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.