Plakolli këmbëzbathur para Teatrit- Le të japin dorëheqje ata që punojnë për Serbinë

04.01.2017 14:08:10
Rergjisori Sokol Plakolli, vazhdon të qëndrojë pranë shkallëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës, këmbëzbathur pavarësisht të ftohtit që po mbretëron.
“Në Teatrin Kombëtar të Kosovës ka disa anëtarë të cilët nuk janë të përlyer me krimin e organizuar antikombëtar, të tjerët duhet të japin dorëheqje publike dhe morale për shkak të kësaj gjendje të krijuar”, tha ai.

“Në mesin e tyre ka pedagog të cilët më respektojnë dhe i respektoj, ka kolegë të mi, ka njerëz të cilët nuk i njoh por janë jashtëligjshëm në Këshillin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, gjë për të cilën do të flitet edhe në media me emra dhe mbiemra”, shtoi ai.

Greva ka për qëllim pastrimin e TKK-së nga strukturat paralele të UDB-së të instaluara në Këshillin Drejtues dhe kthimin e vlerave kombëtare në Teatrin Kombëtar, shkruan lajmi.net.

“Ka prej tyre që me të vërtetë në xhepat e tyre bartin libreza të UDB-së, e ata janë të parët që duhet të japin dorëheqje para se t’ju shqiptohen emrat. Ata mbajnë librezat e UDB-së, hajnë bukën tonë dhe punojnë për Serbinë”, shtoi Plakolli ndër të tjera.

Kjo grevë pritet të zgjasë pa ndërprerje 24 orë, deri në realizimin e kërkesave të tyre.

Kërkesa e parë e kësaj greve është shkarkimi i Këshillit të korruptuar dhe jo legjitim të TKK-së. Ata kërkojnë shkarkimin e drejtorit gjeneral dhe artistik të TKK-së, si dhe shqyrtimin e vendimeve të këtij Këshilli që nga emërimi i tij.

Në rast se Ministri i Kulturës Kujtim Shala nuk ndërmerr hapa konkret për rregullimin e gjendjes brenda Teatrit Kombëtar, do të kërkohet edhe shkarkimi i tij për shkak të neglizhencës së pozitës së tij zyrtare.

Grevisti Sokol Plakolli, do të qëndrojë i ulur në karrigen e vendosur para Teatrit Kombëtar, pa ushqim, pa pije, i zbathur, me gojë dhe me sy të mbyllur, por ka të drejtë të komunikojë me të tjerët.

Ai paralajmëron se në rast se brenda 24 orëve nuk merren masa për kërkesat e tij, kërkesat e tij shtohen dhe mund të eskalojnë. Kërkesat e tij do të drejtohen në instanca më të larta shtetërore brenda dhe jashtë vendit.

T’i nxjerrim jashtë TKK-së, strukturat paralele të UDB-së!

Hapni dyert e Teatrit për artistë, mbyllni për UDBASHA!

Ministër pastroje Teatrin! Kjo është përgjegjësi e jotja!

STOP Klanizimit-Privatizimit të Teatrit Kombëtar!

JO, Skllavizmit të Teatrit Kombëtar të Kosovës!

NDAL- Vrasjes së shfaqjeve kombëtare

Ishin pankartat që bartnin kërkesat e tij. /Lajmi.net/

15878603_1392975694086111_1019916750_o 15871220_1392975580752789_262457833_n