Koci: Kosova, vrima e zezë e Evropës nuk po i pëlqen askujt, madje as neve

22.01.2017 19:10:32

Avokati, Arianit Koci ka thënë se seleksioni negative i partive politike, që 17 vite, ka bërë që individët besnik me liderët apo partitë, në vende më të rëndësishme shtetërore, janë analfabetë total, dhe skajshmërisht të pakulturuar.

Sipas tij, aparati shtetëror, me disa përjashtime të vogla përbëhet kryesisht prej këtyre tipave të cilët të vetmin skrupull dhe parim e kanë interesin vetjak.

Më tutje, Koci përmes Facebokut ka thënë se Kosova është bërë vrima e zezë e Evropës dhe se nuk po i pëlqen askujt, transmeton lajmi.net.

Lexo postimin e plotë të Arianit Kocit:

“Kosova – vrima e zezë e Evropës!

Në atmosferën e gënjeshtres dhe dekadencës shoqërore te ne, shansën e ka parë dhe e ka shfrytëzuar, ajo më e keqja në shoqërinë tonë, llumi – individët që udhëhiqen me interesa dhe ambicie vetijake.

Seleksioni negativ i partive politike, që 17 vite, ka bërë që individët besnik me liderët apo partitë, në vende më të rëndësishme shtetërore, janë analfabet total, dhe skajshmërisht të pakulturuar.

Kohabitim i llumpenproletariatit, polltronëve dhe apartçikëve.

Tani aparati shtetëror, me disa përjashtime të vogla, është i përbërë kryesisht prej këtyre tipave, të cilët të vetmin skrupll dhe parim, e kanë interesit vetanak.

Si pasojë e këtyre proceseve tejet negative, kemi një depresion total në shoqëri.  Thjesht, Kosova kështu si është tani, është bërë vrima e zezë e Evropës.

Nuk po i pëlqen askujt. Madje, as neve që nuk kemi atdhe tjetër.

Sidoqoftë, ata që po e udhëheqin shtetin, kanë përgjegjësi – së paku historike.

E pasojat i bartim të gjithë!”, shkruan ai.