Po ktheheshin nga festa e ‘8 Marsit’, aksidenti tragjik i mori jetën 30-vjeçares

08.03.2017 22:53:20

Pesë mikesha kishin vendosur që këtë 8 Mars ta festonin së bashku, duke drekuar diku jashtë qytetit të Korçës, por fati nuk ka qenë me to. Akoma më tragjike ka qenë kjo ditë për njërën prej tyre, 30-vjeçaren Etleva Shallo, e cila nuk ka mundur t’i mbijetojë aksidentit.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme, në aksin nacional Korçë -Pogradec në afërsi të fshatit Pirg, ku automjeti tip “Reno” me targa KO 8946 A ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar i përmbysur në një parcelë.

Si pasojë e përplasjes, 5 vajzat që ndodheshin në makinë janë aksidentuar rëndë dhe janë dërguar me urgjencë në spitalin e Korçës, por Etleva nuk mundi të mbijetojë.

Shkak i aksidentit dyshohet të ketë qenë lagështia në rrugë, çka ka shkaktuar edhe rrëshqitjen e makinës. Mjeti me pesë persona ka qenë duke u kthyer nga qyteti i Korçës drejt fshatit Vërcun, ku banonin edhe gratë e përfshira në aksident.

Ndërkaq të plagosurat ndodhen në spitalin e Korçës ku po marrin ndihmën mjekësore, ndërsa njëra prej tyre për shkak të plagëve të rënda që ka marrë në trup pritet të transportohet drejt Tiranës për mjekim të specializuar. Policia po vijon punën për zbardhjen e plotë të aksidentit fatal.