Po të numërohej vota popullore, Hillary Clinton sot do të ishte presidente e Amerikës – ja pse?

09.11.2016 22:17:01

Donald Trump është president i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Republikani mposhti rivalen e tij, demokraten, Hillary Clinton me votat elektorale. Trump grumbulloi 290 vota nga 270 të nevojshme për t’i ngjitur në maje të shtetit më të fuqishëm në botë.

Hillary, në anën tjetër, mori vetëm 228 vota elektorale nga 50 shtetet federale amerikane, duke dëshpëruar të gjithë optimistët dhe duke shpërfillur të gjitha sondazhet që atë e nxirrnin fituese me 3.5-4 për qind kundrejt Trumpit, shkruan lajmi.net.

Hillary humbi gati në të gjitha shtetet e mëdha që kanë votë elektorale. Ajo u mposht në Florida (29 vota elektorale), Teksas (38 vota), Gjorgjia (16 vota) dhe Pensilvania (20 vota).

Sistemi elektorale amerikan nuk e përfill votën popullore, por vetëm atë elektorale, prandaj Trumpi sot është president i Amerikës.

Shikuar votat popullore, Hillary ka arritur ta mposht Trumpin, por kjo nuk ka kurfarë peshe kushtetuese.

Hillary Clinton sa i përket votës popullore ka fituar 59 milionë e 731 mijë e 559 vota apo 47.7 për qind. Ndërsa Donald Trump ka marrë 59 milionë e 513 mijë e 953 vota apo 47.5 për qind. /Lajmi.net/