Poezi nga Zyba Hysa

07.03.2019 22:23:50

Biri dhe nxënësi im….

Asnjëherë s’do më mungojnë urimet,
Ti je biri dhe nxënësi im i përjetshëm!
Në çdo shtatë Mars më sjell gëzime,
Nxënës “i pabindur”, djali m’i sjellshëm!

Mësuese në klasë… nënë në jetë,
Herë ishte mirë, herë kish’ vështirësi,
Në klasë mbaje faje që si bëje vetë,
Në shtëpi, t’dhuroja me pash dashuri!

Ishe i vogël dhe skuqeshe pa faj,
Jo përherë gabimet i kishe bërë Ti,
Të qortoja shpesh, nxënësit pastaj,
T’mos të shihnin Ty, si djalin tim!

Më fal biri im, shpesh t’qortoja egër
Për fajet e shokëve, s’doja t’i lëndoja,
Kjo ishte mënyra q’shpesh kisha gjetur,
Të qortoja Ty… nxënësit përqafoja!
…………………………………………………….
Në këtë ditë feste, lotët më kullojnë,
S’janë lotë pendimi, janë lot gëzimi,
Kur të shoh të rritur e tek Ti blerojnë,
Frutet më të ëmbla të çdo qortimi!

Tiranë, Më 7 mars 2019