Policia e Shtetit dhe ajo greke sekuestrojnë drogë; në pranga dy të rinj

23.09.2018 09:53:45

Policia e Shtetit në bashkëpunim me atë greke ka goditur një rast të  trafikut të lëndëve narkotike nëpërmjet kufirit jeshil në drejtim të shtetit Grek. Burimet zyrtare raportojnë se janë sekuestruar 46 kilogramë e 140 gramë lëndë narkotike kanabis sativa dhe në pranga kanë rënë dy persona. Arrestimet janë bërë nga policia greke dhe identitet e tyre janë;.M. B., 23 vjeç, banues në Fier dhe S.M., 25 vjeç, banues në Berat. Gjatë aksionit janë sekuestruar dy çanta shpine ku brenda tyre kishte 46 kilogramë e 140 gramë lëndë narkotike kanabis sativa.

Operacioni ka nisur 48 orë më parë nga Policia Kufitare e Livadhjasë, Sarandë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në Komisariatin e Policisë Sarandë, ku gjatë patrullimit në kufirin jeshil , Policia Kufitare ka konstatuar shtetasit  që po transportonin lëndën narkotike në drejtim të shtetit Grek.

Menjëherë është njoftuar Policia Kufitare Greke dhe Antidroga, ku në bashkëpunim e koordinim të plotë mes shërbimeve tona dhe Policisë Greke  është mbajtur nën vëzhgim lëvizja e tyre, ku është finalizuar me kapjen e tyre  në vendin e quajtur “Koritiani Thesproti”, Igumenicë Greqi. Po punohet për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të këtij rasti.