Policia po heton dy raste lidhur me publikimin e ‘lajmeve të rrejshme’

10.06.2017 11:59:52

Policia e Kosovës a bërë të ditur se është duke u hetuar dy raste për publikim të  “lajme të rrejshme”, nga portalet gjatë fushatës zgjedhore.

Sipas raportit të Policisë së Kosovës të premten janë paraqitur dy raste ku persona të panjohur kanë publikuar lajme duke keqpërdorur logon e gazetës “Kosova Sot”.

“Me 09.06.2017 ankuesi mashkull K/Shqiptar, ka raportuar se person-a të panjohur në mënyrë të rrejshme duke u thirrur në emër të portalit, kanë publikuar lajme lidhur me aktivitetet politike-zgjedhore. Rasti është duke u trajtuar dhe duke u hetuar nga njësite relevante policore”.

“Me 09.06.2017 ankuesja femër K/Shqiptare, ka raportuar se person-a të panjohur kanë vjedhur emrin dhe logon e Gazetës Kosova Sot  dhe janë duke shpërndarë lajme të rrejshme në disa  vebfaqe . Po ashtu rasti është duke u trajtuar dhe duke u hetuar nga njësite relevante policore”, thuhet në njoftim

Gjatë ditës, LDK ka ftuar Prokurorinë dhe Policinë që t’i hetojë “lajmet e rrejshme”

Ndryshe ditëve të fundit në rrjete sociale është duke qarkulluar një portal me emrin kosoGvasot.live, cili përdor logon e gazetës ‘Kosova Sot’. Në këtë portal gjatë fushatës zgjedhore janë publikuar lajme të cilat raportohej për probleme brenda koalicionit PDK-AAK-Nisma dhe LDK-AKR-Alternativa.