Policia tregon detajet e planit operativ për zgjedhjet serbe në Kosovë

01.04.2017 14:41:51
Zgjedhjet presidenciale në Serbi, do të organizohen edhe në zonat me shumicë serbe në Kosovë, pas vendimit që ka marrë Qeveria e Kosovës që ta lejojë këtë proces.

Në lidhje me këto zgjedhje, edhe Policia e Kosovës ka shprehur gatishmëri për sigurimin e procesit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha në një përgjigje për lajmi.net ka thënë se Policia e Kosovës do të bazohet në vendimet e Qeverisë dhe nga kërkesat e misionit të OSBE-së.

“Bazuar në vendime të autoriteteve qeveritare të RKS-së, dhe parashtrimit të kërkesave për asistencë që mund të vijnë nga Organizata per Siguri dhe Bashkepunim Evropian qe nderlidhen me procesin apo aktivitetet e tyre ne grumbullimin e fletëvotimeve, Policia si institucion zbatues i ligjit vepron ne funksion te mbajtes se rendit, sigurisë dhe qetësisë publike si dhe ndermarrjen e te gjitha masave ligjore ndaj çdo veprimi destruktiv apo që bie ndesh me ligjet e Republikes së Kosovës”, ka thënë Hoxha.

“Detyrat dhe pergjegjsite e Policisë së Kosovës i percakton ligji dhe Kushtetuta e vendit, në aspektin e sigurisë së qytetarëve tane te gjitha veprimet policore realizohen konform standardeve te parapara dhe garantimit të të drejtave njerëzore”, thuhet në përgjigjen e Daut Hoxhës për lajmi.net

Materialet zgjedhore nga Komisioni i Zgjedhjeve i Serbisë tashmë i janë dorëzuar misionit të OSBE-së, mision ky i cili do të garantojë procesin e zgjedhjeve serbe në Kosovë.