President, u bëre Udha që çonte kah liria!

(Ky është urimi me rastin e ditëlindjes së presidentit Rugova që e kam publikuar më 2 dhjetor 2015, e që sa herë që përsëritet, edhe kur nuk është ditëlindja e tij, nuk bëhet kurrë i tepërt)

Nga Rexhep Kastrati

President, urime ditëlindjen! Njerëzit si ti kanë vetëm ditëlindje, sepse je i gjallë jo si kult, jo si idol, jo si krijim transedental në panteonin e mitologjisë dhe religjionit, por je i gjallë se erdhe në këtë botë si një vdekëtar dhe u largove nga kjo botë me pavdekësinë. Nuk u angazhove për famë, për protagonizëm autoritar, as për t’i ndërtuar vetes Kullën e Babelit. Ti thjesht bëre atë që dije të bëje: të kryeje misionin për të cilin kishe ardhur në këtë botë, e që e paralajmërove më 28 nëntor 1968. Dhe ky ishte misioni mesianik për ta nxjerrë popullin tënd nga robëria, sikurse Moisiu. Dhe ti besove në gjakimin për liri që vlon në shpirtin e çdo shqiptari. Dhe ti u bëre Udha që çonte te Liria. Pa bujë, tokësor, i përditshëm, i prekshëm, modest, i buzëqeshur, me dorën shtrirë për të gjithë pa dallim ideologjie politike, fetare, pa dallim moshe, gjinie dhe pa marrë parasysh në të shanin, apo të lavdëronin. Dhe këtë dorë e mbaje shtrirë edhe kur të dhimbte shpirti, edhe kur të lotonte zemra, sepse dora e shtrirë bëhej digë për të penguar shpendkeqen që ndillte vdekje.

President, urime ditëlindjen përsëri! Sado që përsëritet urimi për ty, nuk është mjaft, sepse ti aq shumë urove dhe u lute për popullin tënd. U lute si Njeri, u lute si i kësobotshëm, por edhe i gjithëkohshëm. Ti ke vetëm ditëlindje, sepse pavdekësia nuk ka ditëvdekje. Me pavdekësinë je me ne, dhe na kujton: vendi është edhe i atyre që kanë humbur rrugën si biri plangprishës, dhe një ditë do të kthehen edhe ata në rrugë. Dhe në rrugën e Lirisë nuk të ndalën dot, sepse ti kishe lindur për të mos u ndalur. Ti e dije rrugën dhe misionin.