Presidenti Meta uron Ismail Kadarenë për 85-vjetorin e lindjes: Ishe për ne dritë, në një nga periudhat më të errëta

28.01.2021 10:37:56

Presidenti Ilir Meta ka uruar për 85-vjetorin e lindjes gjeniun e letrave shqiptare, Ismail Kadare.

Me një postim në facebook, Meta vlerëson Kadarenë si “shprehësi më i jashtëzakonshëm i fuqisë së mendimit, kulturës, vlerave dhe forcës krijuese të kombit shqiptar”.

“Ishe për ne dritë në një nga periudhat më të errëta, siç vijon të mbetesh një simbol i ndritur i vokacionit tonë europian, për çka të jemi mirënjohës përjetë”, shkruan Meta mes të tjerash.

Postimi i plotë:

Gëzuar ditëlindjen Ismail Kadare, gjeniu ynë i madh i letrave, shprehësi më i jashtëzakonshëm i fuqisë së mendimit, kulturës, vlerave dhe forcës krijuese të kombit shqiptar, që si askush tjetër dite t’u japësh përmasa universale duke na bërë krenar të gjithëve.

Ishe për ne dritë në një nga periudhat më të errëta, siç vijon të mbetesh një simbol i ndritur i vokacionit tonë europian, për çka të jemi mirënjohës përjetë.

Në këtë datë të shënuar për Ju, u bashkohem sot urimeve më të ngrohta të familjes së dashur Kadare dhe mbarë kombit shqiptar, për të pasur shëndet e jetë të gjatë dhe shumë suksese të reja në krijimtarinë Tuaj të shkëlqyer letrare.